Nga Mero Baze
Sali Berisha po përpiqet të krijojë një skemë të re viktimizmi, duke refuzuar të marrë njoftimin e SPAK për t’u paraqitur të premten për çështjen e 21 Janarit.
Në përgjigje të gazetarëve ai tha sot se do të respektonte çdo ftesë nëse e merrte, duke lënë të kuptohet se nuk ka pranuar ende ndonjë ftesë.
Është identike me historinë e parë të akuzës për klubin Partizani. Të gjithë i mbajmë mend sorollatjet e BKH-së, që shkonin në katin e pestë tek shtëpia e Argitës; ajo u tregonte se ishte në katin e katërt, aty u dilte Shkëlzeni me pizhama dhe u thoshte “nuk është babi këtu”, dhe kjo histori vazhdoi derisa ai e refuzoi thirrjen dhe SPAK u detyrua të merrte masë shtrënguese — arrestin shtëpiak.
Atje u qetësua dhe filloi fjalimet nga penxherja e tualetit.
Të njëjtën skemë ëndërron përsëri. Meqë dimri po afron, meqë ka njoftuar një revolucion që ka shumë shanse të përsërisë revolucionet e mëparshme, meqë brenda PD-së po ngjallen zëra kritikë ndaj tij, e vetmja rrugë që e shpëton atë — edhe nga dimri, edhe nga i ftohti, edhe nga revolucioni, edhe nga SPAK-u — është arresti në shtëpi.
Dhe ka për të bërë përsëri të njëjtën gjë.
Siç njoftoi sot, nuk do të shkojë në SPAK; pas kësaj ata do të përsërisin ftesën, pastaj do të gjejë gabim vendlindjen në ftesë ose datëlindjen; pastaj do të detyrohet SPAK të marrë një masë tjetër shtrënguese dhe të përsëritet skema e parë.
Tani ka në favor dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e ka quajtur joproporcionale masën e ndalimit me arrest shtëpie pas refuzimit për të respektuar masën e parë të sigurisë, dhe mund ta zgjasë edhe më shumë debatin për t’u tallur plotësisht, si me këmbënguljen e SPAK për 21 Janarin, si me gjakun e viktimave dhe me vetë PD-në, e cila e vetmja gjë që di të bëjë është të mbrojë Berishën.
Dhe atij i duhet të shpikë një rrezik që të kenë nga çfarë ta mbrojnë. Se nga lejet e ndërtimit s’e shpëtojnë dot.






