Në dokumentet e nënshkruara nga zyrtarët e drejtorisë së burgjeve, autoritetet e përshkruanin 47-vjeçarin Gilmando Danin si një person që nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore, të disiplinuar, me marrëdhënie të shëndetshme dhe pjesëmarrje aktive në programe kulturore dhe rehabilituese, elemente që shërbyen si bazë për uljen e dënimit.
Nga Lindita Çela
Gilmando Dani që ditën kur u arrestua, duket se kishte një strategji të qartë, i bindur se kurrë nuk do të ndryshonte në burg, aq sa Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin e tij më 29 nëntor 2018.
I dënuar me 12 vjet heqje lirie pasi hetimi gjyqësor vërtetoi se së bashku me Emiljano Shullazin, Endrit Zelën dhe Edrit Qyqen, kishin kërcënuar dhe gjobitur biznesmenin Ylvi Beqja, duke i marrë pesë herë çeqe bankare dhe 23% të ish-hotelit “Vollga” në Durrës, Gilmando Dani ka bërë gjithçka për të rrëzuar këtë vendim.
Përmes të paktën 13 proceseve gjyqësore të hapura në gjykatat e rrethit të Durrësit dhe Kavajës, Gilmando Dani arriti të përfitonte ulje dënimi, duke siguruar lirinë më 6 tetor 2024.
Dokumentet e siguruara nga hetimi tregojnë se 47-vjeçari qëndroi në qelinë e izolimit për 8 vite, 5 muaj e 19 ditë dhe ai ia kishte dalë të ulte kohën e vuajtjes së dënimit për 4 vite e 7 muaj.
Në këto dokumente, Dani përshkruhet nga autoritetet e burgjeve si një person i rehabilituar, që nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore, dhe gjatë vuajtjes së dënimit kishte krijuar marrëdhënie të shëndetshme me personelin e institucionit dhe bashkëvuajtësit.
Megjithatë, një vit pas lirimit, Gilmando Dani duket se nuk kishte mbyllur llogaritë me të kaluarën. Mesditën e 11 nëntorit, breshëritë e plumbave u derdhën mbi makinën që ai po udhëtonte në zonën më të sigurt të vendit, atë të aeroportit Nënë Tereza, në Rinas.






