Sali Berisha është thirrur sot nga SPAK për krimin shtetëror të 21 Janarit. Kreut të PD-së i është dërguar fletëthirrja për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në orën 10:00 dhe për t’u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e katër protestuesve në bulevard, të cilët u qëlluan me plumba nga godina e Kryeministrisë në kohën kur Berisha ishte në pushtet.
Fletëthirrja është dërguar në tre adresa, në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo është thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur. Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.
Pritet të shihet nëse do të shkojë apo do të shmangë sërish përballjen në SPAK, pasi një ditë më parë, mohoi të jetë informuar për thirrjen. Ai tha se do të paraqitet në SPAK vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen, ndërsa sulmoi prokurorët duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.
LEXO EDHE:
SPAK ka thirrur Berishën për 21 janarin/ Kikia: Nëse nuk shkon e pret prap ballkoni! Balliu: Ngjarja duhet të zbardhet
Thirrja e Berishës vjen disa ditë pasi SPAK mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i Brendshëm. Më 30 tetor, Basha u mor në pyetje për rreth një orë, por në dalje nga Prokuroria e Posaçme ai nuk dha asnjë detaj, duke deklaruar se çështja është në hetim dhe se respekton sekretin hetimor.
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.






