Kryeministrja Giorgia Meloni thotë se sakrifica e shqiptarëve në vitin 1943 për të shpëtuar mijëra ushtarë italianë nga nazsimi, meriton të rikujtohet dhe rivlerësohet.
Pyetja: Do doja t’ju pyesja për diçka që ka ndodhur 80 vite më parë. Në shtator të vitit 1943, mijëra ushtarë italianë të humbur nëpër Shqipëri u fshehën nga shqiptarët, të cilët i strehuan dhe i mbrojtën nga nazistët. A mendoni që ka ardhur koha që kjo faqe humanizmi të ndërsjellë meriton të kujtohet dhe të rivlerësohet sot?
Giorgia Meloni: Po, meriton të kujtohet dhe të rivlerësohet. Janë disa projekte që po përgatiten në këtë kuptim. Kjo është faqe e jashtëzakonshme e historisë dhe e marrëdhënieve tona. Nëse do të kërkohej gatishmëria jonë për këtë ide, ne do ta kishim menjëherë.
Edi Rama: Unë do të doja të shtoja që ne jemi krenarë për dy çaste shumë të rëndësishme të historisë tonë. Njëri është më së shumti i njohur për të gjithë shqiptarët — që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kohë kur Shqipëria e mbylli luftën me më shumë hebrenj se sa e filloi atë, dhe nuk ka asnjë të dhënë të njohur për një person të vetëm me identitet hebre që t’i jetë dorëzuar nazistëve.
Por një tjetër pjesë e historisë që është po aq e rëndësishme, është ajo që ka të bëjë me ushtarët italianë që mbërritën në Shqipëri për t’u shpëtuar nazistëve. Ishin 25 mijë që u shpëtuan nga shqiptarët.
Ishte një oficer italian, një oficer i lartë italian, i cili humbi jetën në Shqipëri në atë kohë, dhe shqiptarët e varrosën atë me nderimet më të larta. Djali i tij, oficer i ushtrisë italiane në vitin 1991, u bë personi kyç për organizimin e misionit “Arco Baleno”, një mision italian për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në një fazë të jashtëzakonshme pas daljes së saj nga komunizmi.






