Apeli i GJKKO shqyrton sot kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Seanca u shty për sot, në 09:00, për shkak të kërkesës së avokatit të Metës për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani. Sipas tij, gjyqtarja ka gjykuar muajin e kaluar kërkesën për revokimin e masës dhe vendosi mospranimin, ndaj nuk mund të shqyrtojë sërish një çështje tjetër që prek të njëjtin person.
Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Meta këmbëngul se po mbahet në qeli pa akuzë.
Edhe seanca paraprake e datës 11 nëntor në GJKKO u shty, pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Avokati Kujtim Cakrani tha se dosja duhet të kthehet për hetime shtesë, duke akuzuar SPAK-un se ka paraqitur prova të reja pas mbylljes së hetimeve, gjë që sipas tij, përbën shkelje proceduriale.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.






