Gjykata e Apelit të Posaçëm prish vendimin e GJKKO për ish kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, kthen çështjen për rigjykim në GJKKO pa dhënë arsyetim.
Vendimi u dha këtë të mërkurë nga treshja e gjyqtarëve Miliana Muça, Saida Dollani dhe Dhimitër Lara.
Zarka ankimoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion që e dënoi atë me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Zarka u shpall fajtor për akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Sipas SPAK, kryeprokurori që u hetua në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe tre persona të tjerë të shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe Erjona Daupaj, ish-oficere e Policisë Gjyqësore dhe avokati Radovan Çela kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, kanë marrë ryshfet, por edhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë.
Sipas SPAK, Zarka me 3 të tjerët tjetrin kanë ndërhyrë në 8 dosje duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë për të lehtësuar rrethanat, mes të cilave edhe ajo e Suel Çelës.
Ata kanë ndërhyrë për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin Alfred Vladin, kushëririn e tij Elvis Vladi dhe biznesmenin Alban Mollaymeri, në lidhje me 3.4 milionë eurot që u bllokuan në Portin e Durrësit, në qershor 2018, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.






