Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar 4 vëllezërit shqiptarë nga Belshi, Luftar, Arben, Ramiz, Fatos Hysa, si edhe Fabjon Hysa i biri i Luftarit, të njohur si biznesmenë, kryesisht në fushën e turizmit dhe në atë të lojërave të fatit. Kompanitë e vëllezërve Hysa janë të përqendruara nëpër botë, ndërsa çështja për të cilën janë sanksionuar lidhet me aktivitetin e tyre në Meksikë.
Kazinotë e vëllezërve Hysa dyshohet se përdoreshin për të pastruar paratë e kartelit të famshëm të drogës, Sinaloa. Një ndër kazinotë e poseduara nga kjo familje, mbante emrin e nënës së vëllezërve Hysa, ‘Emine Casino’, e ndodhur në San Luis Rio Colorado. Ndër vëllezërit më i promovuari nëpër media është Luftari, i cili shpesh ka dhënë intervista duke folur për rrjetin e gjerë të bizneseve familjare.
Lajmet për përfshirjen e tyre në aktivitetin e paligjshëm të kartelit Sinaloa, kryesisht në skemën e pastrimit të parave, qarkullojnë që prej vitit 2022, kohë kur Arben Hysa së bashku me avokatin e tij meksikan, Falce García, dolën publikisht në media duke mohuar çdo akuzë pas publikimit të një artikulli në mediet ndërkombëtare.
LEXO EDHE:
Redaktimi i fjalimit të Trump/ BBC i kërkon falje presidentit të SHBA, por refuzon kompensimin 1 miliard dollarësh
“Asnjë kompani në të cilën marrin pjesë si aksionarë vëllezërit Hysa nuk ka marrë, transferuar apo rimbursuar asnjë shumë parash që mund të konsiderohet e paligjshme, aq më pak pastrim parash”, theksoi avokati.
Familja Hysa akuzohet se e ka përdorur ndikimin e vet përmes investimeve ose kontrollit mbi biznese të ndryshme me bazë në Meksikë, duke përfshirë lokale bastesh dhe restorante, për t’i pastruar paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve.
Sipas shtetit amerikan, Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë punuar ngushtë me një person amerikan për pastrimin e parave, përfshirë transportimin e sasive të mëdha të parave të gatshme nga Meksika në Shtetet e Bashkuara, ku kompania e atij personi amerikan është përdorur për pastrimin e parave, sipas Thesarit amerikan.
Luftari dhe Arbeni kanë përdorur një entitet me bazë në Evropë për të fshehur gjurmët e pastrimit të parave të paligjshme që i përkisnin personave të dyshuar për trafik narkotikësh. Luftari gjithashtu zotëron ose drejton disa kompani që përdoren nga familja Hysa.
Arben Hysa zotëron ose drejton disa kompani që përdoren nga familja Hysa në Meksikë. Ai është përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të parave të gatshme në Shtetet e Bashkuara me synimin për t’i pastruar ato, si dhe në përdorimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze në Meksikë për t’i shpëlarë paratë e drogës. Ramizi ka qenë i përfshirë në përdorimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze në Meksikë si mbulim për pastrimin e parave nga shitja e narkotikëve.
Kompania me bazë në Meksikë Entretenimiento Palmero, S.A. de C.V., në pronësi të Arbenit, dyshohet si qendër e veprimtarive të paligjshme të familjes Hysa, ku anëtare e bordit është dhe Eselda Hysa, vajza e Ramiz Hysës.
Çdo aset i familjes Hysa në SHBA, ose që varet nga sistemet financiare amerikane, është i bllokuar dhe nuk mund të përdoret pa aprovimin e Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja OFAC-it. Personat apo entitetet amerikane nuk mund të bëjnë biznes me ta (transferim parash, mallrash, shërbimesh) pa licencë. Institucionet financiare, amerikane ose ndërkombëtare që përdorin sistemin amerikan, duhet të kenë kujdes të veçantë ose të mos bashkëpunojnë me këto entitete ose me entitete që janë më shumë se 50 për qind në pronësi të tyre.
Sanksionet u vendosën pas një bashkëpunimier të Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) me Departamentin e Thesarit dhe Rrjetit për Zbatimin e Krimeve financiare (FinCEN), në bashkëpunim me Qeverinë e Meksikës. Përveç familjes Hysa, të futura në ‘listën e zezë’ të SHBA-ve janë për përfshira dhe 27 individë e kompani të tjera, të akuzuar për pastrim parash.






