Zlatan Ibrahimovic, një nga futbollistët më “shëtitës” të brezit të tij, ka përjetuar nga afër stilin e lojës në disa nga ligat më të forta të botës. Pas një karriere që kaloi nga Malmö tek Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, PSG, Manchester United dhe LA Galaxy, suedezi është në pozicionin ideal për të krahasuar mënyrën si luhet futbolli në vende të ndryshme.
Për futbollin spanjoll, Ibra thekson cilësinë teknike dhe frymën e lojës: “Në La Liga përpiqen ta ndërtojnë lojën nga prapa. Edhe nëse niveli nuk është më i larti, ekipet gjithmonë përpiqen të luajnë futboll”.
Për Italinë, ku ka luajtur me Juventusin, Interin dhe Milanin, ai thotë: “Është një futboll shumë taktik dhe i studiuar. Është më e rëndësishme të mbrohesh sesa të sulmosh. Për një sulmues është shumë e vështirë, por kur arrin të triumfosh, ndjenja është e mrekullueshme”.
Ndërsa për Anglinë, ku veshi fanellën e Manchester United, përshkrimi është i qartë: “Në Premier League luhet me ritëm të çmendur, në sulm dhe mbrojtje. Edhe nëse je teknikisht i jashtëzakonshëm, nëse nuk përballon ritmin, nuk mund të ecësh përpara”.






