Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit për shmangie nga drejtësia.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale Balla thekson se “gënjeshtari, frikacaku dhe i keqi nuk fshihen dot gjatë – e vërteta i zbulon vetë”, duke iu referuar situatës së krijuar pas përpjekjeve të SPAK për t’i dorëzuar njoftime zyrtare Berishës në adresën e banimit dhe në vendet e punës.
Sipas deklarimeve të bëra publike, rojet e banesës dhe sekretaritë e institucioneve ku Berisha ushtron detyrat e tij politike kanë refuzuar të marrin dokumentacionin e prokurorisë.
Balla nënvizoi se procesi gjyqësor për ngjarjet e 21 Janarit, tashmë i rihapur pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën “testin e së vërtetës” për drejtësinë shqiptare dhe se koha kur urdhërat e Prokurorisë nuk zbatoheshin “ka përfunduar përgjithmonë”.
Postimi i plotë:
Thënia e mençur se “gënjeshtari, frikacaku dhe i keqi nuk fshihen dot gjatë – e vërteta i zbulon vetë”, i shkon fiks këtij bufit. Drejtësia (Prokuroria e Posaçme) i paska çuar njoftimin tek shtëpia, “rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”. Gjithashtu ia paska dërguar njoftimin në dy vendet e punës, sekretaria e Grupit dhe Partisë “refuzon të marrë njoftimin”. Çfarë turpi, për këtë dhe ata që e rrethojnë, të cilët për çdo rast tjetër mezi presin të tundin njoftimet e të tjerëve.
Një gjë është e qartë se falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është testi i së vërtetës për drejtësinë shqiptare. Koha kur Policia nuk zbatonte urdhërat e Prokurorisë nuk do të kthehet më kurrë. Ajo kohë ka perënduar bashkë me vdekjen politike të katranit me bojë






