Nga Albert Vataj
Marrëdhënia e tyre e konsoliduar ndër vite, ajo miqësi e bujshme që shpesh ka sfiduar seriozitetin e rrjeteve sociale, më në fund u “kurorëzua” – dhe këtë herë jo në ndonjë resort ekzotik të Fish City-t, por falë ligjit të ri “Për Barazinë Gjinore”. Me pak fjalë, një martesë simbolike, një akt performativ që thërret fort për zgjim vetëdijesimi: Ku po shkon gjithë kjo zhurmë? Për çfarë bëhen debatet, përplasjet televizive, shfryrjet parlamentare dhe alarmet që ngrihen si sirena emergjence nëpër rrjete sociale?
Në këtë shfaqje publike nuk mund të mungonin dy prej figurave më atipike të komunikimit publik: sipërmarrësi Gjergj Luca dhe gazetari antikonformist Bled Mane. I pari e publikon foton me tekstin: “Ligji kaloi në parlament. Faleminderit nga zemra!”, ndërsa i dyti e shoqëron me një shpërthim tipik të stilit të vet: “JA PRA SE NA ÇMENDËT / Barazia gjinore!”
Në këtë dialog të dy personazheve që nuk i kanë marrë kurrë gjërat “siç duhet”, por gjithmonë siç duhen për t’u kuptuar, ironia është thelbi. Është fotografia, qëndrimi, buqeta e luleve dhe vetë atmosfera që krijojnë, ajo që shërben si pasqyrë për të parë absurditetin e një debati të ushqyer me keqkuptime, me panik imagjinar dhe me një revoltë që shpesh ka lindur nga leximi i titujve dhe jo i ligjit.
Ironikisht, ky “kurorëzim” i Luca–Mane-s është një thirrje për të lexuar vetë tekstin e ligjit përpara se të bërtasim kundër tij. Ligji, i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 6 nëntor 2025 me 77 vota pro dhe 36 kundër, sipas organizatave të specializuara, nuk prek as strukturën e familjes dhe as format tradicionale të bashkëjetesës. Përkundrazi, ai përmirëson fusha të neglizhuara prej vitesh: buxhetimin me perspektivë gjinore, njohjen e punës së papaguar në familje, barazinë në tregun e punës, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe rritjen e standardeve institucionale.
Kjo ironi therëse e dyshes është përgjigjja më e qartë ndaj shfrimeve të ditëve të fundit, ku ligji u shpall “kërcënim i familjes”, “hapje dere për shembjen e vlerave” apo “truk ideologjik”. Në fakt, ai s’është gjë tjetër veçse një përditësim i një ligji ekzistues që daton nga viti 2008, i cili kërkonte një kohë të re dhe një lexim të ri.
Prandaj “kurorëzimi” i Gjergj Lucës dhe Bled Manes nuk është një tallje me institucionin e familjes, por një tallje me paragjykimin. Një mësim se nganjëherë është më e lehtë të shpikësh skenarë të frikshëm sesa të lexosh një dokument ligjor me 20 faqe.
Në një vend ku shpesh debatet e mëdha lindin nga dy rreshta të keqinterpretuar, kjo foto është një mjet i mrekullueshëm komunikimi: një shuplakë dhe një ftesë për qetësi njëkohësisht.
Sepse, ndonjëherë, dy burra që “kurorëzohen” në Facebook flasin më shumë për arsyen se sa një parlament dhe një shoqëri e tërë që grindet pa e lexuar ligjin.






