Nga Luan Rama
Qashtu siç e patën ndarë me kufi tokën ku flitej e jetohej shqip qysh prej “kur Mal i Zi ish Iliri e kur nga njëri det në tjatrin det isha zot vetë”, u nda me kufi prej fisit, katundit e atdheut, edhe jeta e familjes së Hysen Kadrisë prej Shoshani, që dikur qe pjesë e kooperativës bujqësore Margegaj, në rrethit të Tropojës.
Vendimi për me ikë, pra për me u arratisë, me siguri nuk ka qenë i lehtë. Si të gjitha ikjet.
Sepse ikjet, pavarësisht rrethanave dhe motiveve, asnjëherë nuk janë të lehta.
E megjithatë, ai, pra Hysen Kadria (baba i Elez Biberajt), bashkë me të vëllanë, Nimanin, e patën marrë rrezikun në sy.
Dhe më 1951 ikën. E lanë kufirin dhe ikën përnjëmend nga Shqipëria.
Në atë ikje merr udhë edhe jeta e Elez Biberajt, i cili, u lind një vit pas ikjes, në Plavën e Shqipërisë përmatanë kufirit me Shqipërinë, në atë anë të bjeshkëve. Bash si sot 73 vjet më parë.
Ishte 15 nëntor 1952.
Prindërit e Elez Biberajt vinin prej familjesh me emër në Malësinë e Gjakovës e në krejt ato anë. Patrioti i madh Haxhi Zekë Byberi ka qenë me prejardhje Byberaj. Ndërsa, e ëma, qe bijë e Hoxhajve të Gashit.
Në atë “djep” u përkund Elez Biberaj. U rrit në gjysmën tjetër, me gjysmën e kësaj ane trupëzuar në babën e nënën.
Jeta e tij ngjan si një film epope. Aty ngërthehen, përplasen e bashkëjetojnë çaste, momente, ngjarje dhe personazhe nga më të ndryshmit e më të çuditshmit, që as në fantazinë më të shfrenuar nuk do të mund t’i imagjinonte ndokush se mund të bëheshin bashkë. E, mu për këtë arsye mendoj se rasti i Elez Biberajt është krejt unik, i veçantë dhe i papërsëritshëm.
I pangjashëm me asnjë rast tjetër ikjeje, anipse të gjitha ikjet, në fund të fundit ikje janë.
Jeta nuk ia ka rezervuar vuajtjet e as hallet e shumta në familjen ngjizur me krenarinë epike malësore e të prirë prej një babe që fisnikërinë e dinjitetshme e kishte pasurinë më të madhe.
Por ato, as e mundën e as e ligështuan, nuk e tutën e as e bënë të tërhiqej.
Edhe pse në një komunizëm tjetër, jeta në Jugosllavinë e viteve 1950-1960 të shekullit të kaluar, nuk ka qenë e lehtë për familjen e Hysen Kadrisë. Pra, as për femijërinë dhe adoleshencën e vetë Elezit. Edhe pse Tito ishte i parë, ajo periudhë është shenjuar në historinë jugosllave (edhe në historinë jugosllave të shqiptarëve atje), si koha e Rankoviçit, koha e pushtetit të UDB-së, kohë e masakrave të mëdha shtetërore kundër shqiptarëve.
Ikja prej aty e mbërritja në SHBA qe shpëtim. Shpëtim dhe bekim.
Elez Biberaj e sfidoi jetën. Ia doli të marrë prej saj më të mirën e mundshme, në një realitet që edhe pse nuk qe i tij, diti ta bënte të vetin, diti t’i imponohej. Gazetari me emër i “Zërit të Amerikës”, ia mbërriti të bëhej edhe drejtor i zërit zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndaj, përtej emrit, Elez Biberaj është sot një institucion.
Është një referencë qytetari e atdhetari të përkushtuar.
Është shembulli i profesionistit të zot që mbërriti një lartësi për t’u admiruar dhe synuar prej shumëkujt që do të bëhet dikushi në jetë.
Për herë të parë me Elez Biberajn jam takuar në zyrën e tij. Në “Zërin e Amerikës”. Ishte marsi i vitit 1996.
Edhe pse qe shumë miqësor, qe edhe shumë shqiptar në mënyrën se si më priti e si u soll që të mos gjendesha i largët, brenda meje një ndjesi faji, edhe pse i pafaj, më pengoi që të ndjehesha i shpenguar. Madje, më dukej se i gjithë përjetimi në ato momente më kishte bërë aq të nëpërdukshëm, sa po prisja që Elezi nga çasti në çast të më pyeste pikërisht për atë që unë nuk doja të më pyeste; për “të birin e diversantit”.
Unë isha aty, në zyrën e tij. Bashkë me të. Sy më sy. Isha si gazetar i “Zërit të Popullit”. Dhe Elez Biberaj e kishte gjithë të drejtën të më pyeste edhe për “të birin e diversantit”.
Biseda mes nesh qe e veçantë, e hapur. Shumë e vlefshme për mua jo vetëm në planin profesional, por interesante dhe emocionuese pa cak e krejt e barabartë si mes kolegësh, pavarësisht pabarazisë në shumëçka mes nesh.
Mirëpo, jo vetëm që nuk e ceku temën e “diversantit”, por me një fisnikëri që është veçanti e sojit, ai as nuk më la të kuptoja se e kishte lexuar atë shkrim. Atë shkrim të botuar në “Zërin e Popullit” më 18 nëntor 1990. Pra, 35 vjet më parë.
Në të vërtetë, për çka po flas nuk qe as shkrim. Ishte një letër. Një letër anonime. Pa autor. E shkruar keq dhe e botuar krejt në kundërshti me standardet profesionale dhe etike të gazetës. Dhe më për dreq e bënte të gjithën, një shënim në emër të redaksisë vënë në fund të shkrimit: “Zëri i popullit” nuk e ka për zakon të botojë letra anonime. Por, vetëm këtë radhe bëmë një përjashtim, për vetë interesin e veçantë, që paraqet letra anonime e mësipërme”.
Unë nuk di të them nëse e ka ditur apo jo Elez Biberaj sa qe i vogël e kur rendëte për me u shkollu prej Hoti në Gjakovë e Prizren në ato vite të messhekullit të kaluar, më parë se të largoheshin prej vendeve shqiptare që ishin nën Jogosllavinë e të shkonin në SHBA, se babën e tij në mëmëdhe e kishin shpallur tradhëtar. Por sot, pasi mes nesh ekziston një miqësi e çmuar për të dy, e marr me mend se si është ndjerë zëri shqip i “Zërit të Amerikës”, kur ka lexuar në “Zëri e Popullit” ta quanin “biri i diversantit” dhe t’ia akuzonin babën si “të dërguar nga UDB-ja jugosllave, si diversant e vrasës në vendin tonë”.
Atëkohë nuk i kisha mbush as tre muaj që punoja në gazetë, por mes kolegësh patëm diskutuar “për të birin e diversantit”, i cili na vinte edhe vetë si “diversant” përmes valëve të “Zërit të Amerikës”.
Shembja e madhe që avitej të na zinte edhe ne, ndihej gjithkund, edhe pse nuk pranohej.
“Zëri i Amerikës” përmes zërit të Elez Biberajt qe bërë kumt lirie. Ai zë na parathoshte çfarë pritej të mbërrinte ndër ne e ku duhej që ne të mbërrinim. Ndaj, as atë kohë e as këtë kohë, nuk gjej arsye ta kuptoj se kush e përse e urdhëruan botimin e asaj letre.
As atëherë e as më vonë sa herë e kam takuar Elez Biberajn, ai kurrë nuk më pyeti se përse “Zëri i Popullit” u detyrua të prishte zakonin dhe të botonte një letër anonime! Drejtuesit e partisë a të gazetës fare mirë mund të gjenin një militant që të pranonte të bënte të njejtën gjë. Kishte plot asish që do ta merrni përsipër të shisnin emrin. Mirëpo çuditërisht u zgjodh “një nga ato anonimet” si për të dëshmuar mjerimin intelektual dhe profesional, por edhe një ndjenjë kompleksi dhe inferioriteti në përballjen me “të birin e diversantit” të “Zërit të Amerikës”.
Mjafton vetëm ky shembull, pra fakti që Elez Biberaj as e konsideroi ndonjëherë dhe as u interesua të mësonte ndonjë detaj lidhur me atë letër anonime, mbërritur në redaksi me porosi nga lart e botuar në “Zërin e Popullit”, për të kuptuar lartësinë e fisme të tij.
Ai nuk më pyeti kurrë e kurrë nuk ka për të më pyetur kurrqysh, sepse kanonet e tij janë të një natyre tjetër. Janë kanonet e njëriut të lirë. Të njeriut që lirinë e ka kultin e jetës.
Ndaj sot, mu në datën e lindjes, më duhet t’i them Elez Biberajt se jeta e tij është modeli që na duhet. Më e pakta, për ta njohur.
Elez Biberaj e ke detyrim të na e japë këtë model, të na e ofrojë bujarisht, me mirësinë që është e tija. Edhe me fisnikëri.
Sepse Elez Biberaj nuk është më vetëm i vetes. Dhe as vetëm i familjes së vet.
Është i të gjithëve ne.




