Nga Anri Bala
Të njëjtat fjalë si përherë që qytetarëve s’ua ka ndjerë, po e hedhin opozitarzmin në erë… ky ishte mesazhi protestës së djeshme.
Dje më në fund, Sali Berisha guxoi të protestonte… të testonte opozitën e drejtuar nga ai, bashkë me ca mercenar të mbetur të Partisë së Lirisë, ish “ndjesë pastë” LSI, me katër deputet, që në të vërtetë nuk përfaqësojnë askënd, por janë ca “zombi” në politikë, dhuratë e turpshme e Berishës për Metën në shenjë mirënjohje për vitete e dashurisë politike, që kaluan bashkë dhe si shenjë keqardhje për të mos i humbur vula, siç i humbi këtij për disa vite.
Testi nuk dështoi, por vërtetoi se ku është katandisur partia e shpresës, e vetmuar pa përkrahje, e çoroditur e që ka humbur rrugën në oborrin e shtëpisë së saj pa qenë “xurxull”, por me udhëheqësin e dehur, pa pirë asnjë gotë raki, e rënduar nga doza e helmit që po i shtohet çdo ditë, nga pamundësia për ta parë pushtetin qoftë edhe me dylbi.
Prova e fundit e shfaqjes me skenar të Berishës nuk dështoi, sepse ishte një tragjedi e realizuar mbi një ngjarje të vërtetë, e dhimbshme për vendin dhe shqiptarët… kur shikojnë opozitën e tyre në grahmat e fundit, duke dhënë shpirt.
Ndaj, shpresa e humbur për PD, që do na sjell rotacionin e pushtetit… është një gjëmë, ku fakti më i rëndë është, se ekipi opozitë e ka shitur ndeshjen në tavolinë dhe nuk ka ndërmend kurrë të futet në fushë.
Lojtarët e plakur dhe të lodhur u gëzohen dy “fitoreve”… vendin e dytë të përjetshëm dhe vulës së rikthyer, e cila i riktheu buxhetin si PD dhe bëjnë sikur luftojnë duke lexuar hartime të shkruara keq nga fëmijë apo të afërmit me ose pa arsim, që nuk frymëzojnë askënd, por i bëjnë të ndjehen keq gjithë “djathtistët” dhe për të vjellë gjithë ata që e duan Shqipërinë.
Të gjithë duhet të vëmë kujën, sepse vdekja e opozitës është vdekja e demokracisë, që pritëm aq gjatë që ta shikonim dhe sot e shohim që po tretet pa u rritur akoma… në moshë të re.
Ndaj slogani i protestës së fundit duhet të jetë: Duam opozitë, duam opozitë! /Ekskluzive.al






