SPANJË – Barcelona rikthehet me fitore në stadiumin e rinovuar “Camp Nou”, duke mposhtur lehtësisht Athletic Bilbaon me rezultatin 4-0. Skuadra katalanase dominoi në të gjitha aspektet e ndeshjes që nga minuta e parë.
Robert Lewandowski zhbllokoi shifrat me një supergol pas vetëm katër minutash lojë, duke kaluar Barcelonën në avantazh. Më pas, në fund të pjesës së parë (45+3’), Ferran Torres dyfishoi shifrat pas një kundërsulm të shpejtë dhe asistimit të shkëlqyer të Lamine Yamal.
Në fillim të pjesës së dytë, Fermin Lopez shënoi golin e tretë (48’), ndërsa Athletic Bilbao mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit me karton të kuq të Sancet. Në minutat shtesë, sërish dyshja Torres – Yamal ‘vulosën’ fitoren me golin e katërt (90+2’).
Pas kësaj fitoreje, Barcelona ngjitet në krye të La Ligës me 31 pikë, aq sa ka edhe Real Madrid me një ndeshje për të luajtur. Athletic Bilbao mban vendin e tetë me 17 pikë.
Kjo ishte ndeshja e parë e Barçës pas 909 ditësh në stadiumin ‘Camp Nou’, me impiantin që ka marrë një tjetër pamje, por ende nuk ka përfunduar në 100 përqind.






