Nga Adrian Thano
Konflikti politik në Shqipëri është shpesh një teatër i mirë-orkestruar. Tenderi me vlerë rreth 20 milionë euro i Unazës, i dhënë me kritere të qepura, sipas SPAK, shfaqet edhe si një “grafi” e sistemit politik në Shqipëri: Prapa fasadës së luftës, është aleanca e parave
Dosja e fundit e SPAK mbi abuzimet e dyshuara të Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve, zbulon për publikun më shumë sesa shkelje proceduriale.
Kjo garë e paracaktuar nga krahu i djathtë i kryeministrit Rama, shfaqet edhe si një grafi e sistemit politik në Shqipëri. Aty konfirmohet ajo që përflitet gjerësisht në Tiranë: Paraja e korrupsionit nuk ka ngjyrë partiake; prapa fasadës së luftës, është aleanca e parave.
Televizioni Report TV dhe Shqiptarja.Com kanë botuar detaje të dosjes, nga të cilat del qartë që tenderi me vlerë rreth 20 milionë euro i Lotit IV të Unazës së Tiranës është dhënë me kritere “të qepura”. Por jo vetëm.
(përgjimet mund të lexohen duke klikuar KËTU)
Më herët Mero Baze ka faktuar lidhje të tipit “prestanome” mes fituesit të tenderit dhe familjes Berisha (Shkëlzen Berisha). Të njëjtët u shfaqën edhe në lejen e ndërtimit lëshuar nga qeveria “armike” për kullën në qendër të Tiranës.
(shkrimi për vilat në Rolling Hills mund të lexohet duke klikuar KËTU)
Ky rast nuk ilustron vetëm se si pushteti politik është konvertuar në pasuri të mëdha financiare për politikanët dhe rrethin e ngushtë familjar që tashmë jeton veç nga “plebejtë”, në lagje luksi të rrethuara. Ai nxjerr në dritë edhe mekanizmin e fshehtë: armiqësia publike është mbulesë për ortakërinë ekonomike.
Ky teatër “armiq ditën, ortakë natën” është aspekti më cinik i kësaj dosjeje për ata qytetarë që duan të shkojnë përtej tifozërisë së verbër partiake.
Në parlament dhe studio televizive palët akuzojnë njëra-tjetrën për “non-grata”, “regjim”, apo “hajdutëri”. Por në prapaskenë, mekanizmat burokratikë punojnë për të ushqyer financiarisht “kundërshtarët”. Emrat që marrin leje ndërtimi dhe tendera strategjikë janë të njëjtët që shërbejnë si bankomatë apo streha luksi për familjarët e të dy “krahëve”.
Nuk janë dy “kampe” politike, janë një grup i vetëm interesi.
Militantët dhe publiku ushqehen me urrejtje dhe polarizim, ndërkohë që kjo “elitë” pavarësisht logos partiake, bashkëjeton në harmoni të plotë financiare, duke ndarë mes vetes tendera, leje ndërtimi dhe pasuri publike të vendit./Gazeta Dita






