a kushtuar 400 milionë euro. Është dashur mbi 11 vite për t’u ndërtuar. Por, është bllokuar me shiu e parë vetëm dy muaj pas inagurimit. Pamjet në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë në afërsi të tuneleve, duket se reflektojnë një tjetër aferë korruptive.
Bashkëshorti i ish deputetes socialiste Mimoza Hafizi, Hasan Hafizi, përmes kompanisë Albavia ku është aksioner kryesor, ka ‘ndërtuar’ rrugën që nuk i rezistoi një shiu të zakonshëm. Ai është protagonist i gropës së zezë 400 milionë euro për segmentin Qukës-Qafë Plloçë, një rrugë që ka rrënuar xhepat e taksapaguesve shqiptarë për 11 vite me radhë.
Pas shembjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar reagoi duke gjetur “fajtorin” e vetëm: motin e keq. Në reagimin zyrtar, ARRSH deklaroi se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rrëshqitjen e gurëve në km 35 të aksit.
ARRSH duhet t’a dinte se kushte të tilla atmosferike janë të zakonshme në këtë periudhë dhe duhej të ishin parashikuar në projektim, që rruga të mos dëmtohej me reshjet e para.
Sipas ARRSH, grupet e punës në terren po vlerësojnë situatën dhe kanë marrë masa për krijimin e një bypass-i të përkohshëm, me qëllim devijimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë. Aksi, sipas njoftimit, është i hapur dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Në fund, ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin frenimet e papritura.
Opozita: Qukës-Qafë Plloçë, aferë korruptive
Pas bllokimit të aksit Qukës-Qafë Plloçë dy muaj pas inagurimit, deputeti demokrat Ivi Kaso thotë se ky aks është afera e radhës e Ballukut që duhet hetuar. Në një postimi në rrjete sociale, Kaso ka publikuar pamjet e rrugës së bllokuar krahas së cilave shkuan se kostot e këtij aksi u frynë në mbi 260 milionë euro nga 90 që parashikohej maksimalisht dhe tashmë kjo rrugë nuk ofron asnjë standard.
Afera korruptive 400 milionë euro me rrugën Qukës-Qafë Plloçë
Në vitin 2014 u lidh kontrata për lotin 1 të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, ku firmat fituese duhet ta kishin përfunduar këtë segment në qershor të vitit 2018. Kaluan 7 vite nga ky afat dhe sërish fituesi i këtij loti, firma “Albavia” nuk e zbatoi kontratën, teksa dukshëm është favorizuar nga institucionet shtetërore, të cilat i kanë shtuar fondet dhe shtyrë afatin.
Por, pavarësisht këtij abuzimi të madh, firma jo vetëm që nuk është “ndëshkuar”, hetuar, gjykuar apo penalizuar, por vijoi të marrte të tjera fonde për këtë segment, me tendera që dyshohet se janë të paracaktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Pavarësisht se drejtuesit e ARRSH-së kanë ndryshuar, favorizimet dyshohet se vijnë me “urdhër nga lart”, pasi te institucionet apo drejtorët që kanë firmosur tendera për Qukës – Qafë Plloçë kanë favorizuar gjithnjë firmën “Albavia”.
Faksimile: Të dhënat e ARRSH-së për lotin 1 të rrugës Qukës – Qafë Plloçë

Rruga filluar të ndërtohet para 15 vitesh, ndërsa përfundoi vetëm para disa muajsh. Megjithëse është vetëm 43 kilometra e gjatë, kostoja ka shkuar më shumë se 400 milionë euro, nga vetëm 150 të parashikuara në fillim. Sipas faqes zyrtare të ARRSH-së, sipërmarrësi i punimeve të lotit 1 është “JV Sintram & Albavia”. Afera është realizuar me kompaninë e kontraktuar për mbikqyrjen e punimeve, e cila ka firmosur situacione false për volume pune që nuk ekzsitojnë.
Fillimi i punimeve është bërë në korrik të vitit 2015, teksa vlera e punimeve ka qenë 38 milionë euro.
“Kontrata është lidhur në datë 9 maj 2014 dhe punimet duhet të kishin përfunduar në datë 23 qershor 2018. Aktualisht këto punime nuk kanë përfunduar ende” shkruante Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2019. Por, loti 1 ka marrë plot 22.6 milionë dollarë më shumë se projekti fillestar. Sipas KLSH-së, për lotin 1, janë realizuar 2 shtesa kontrate, janë miratuar 2 urdhër ndryshimi dhe janë në proces 2 urdhër ndryshimi të tjerë. Vlera e kontratës për lot 1, parashikohet të bëhet rreth 60.7 milionë USD, me një shtesë referuar kontratës bazë me vlerë rreth 22.6 milionë USD, ose 59 % më e lartë se parashikimi. Vlera e tenderit të ri ishte 3.5 milionë euro, teksa afati është 6 muaj. Vetë ARRSH shkruan se gjatë zbatimit të punimeve në lotin 0, që filloi në vitin 2009 dhe përfundoi në 2014-ën, pati rrëshqitje masive. “U bë spostimi i aksit në një gjatësi rreth 800 ml, i cili kishte një kosto shtesë prej 20% të vlerës së kontratës. Edhe me fondet shtesë, objekti nuk përfundoi 100% dhe nuk u vendos në shfrytëzim”, shkruan Autoriteti.
Ndërkohë, në fund të 2024-ës është shpallur fituesi i kësaj procedure. Dhe, s’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi fituesi është një emër i njohur i ndërtimit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë; firma “Albavia”! Ajo e cila mori 22.6 milionë USD shtesë për lotin 1, që është ngjitur me këto punime të pakryera.
Por, jo vetëm kaq, pasi oferta e firmës “Albavia” nuk ka qenë më e ulta në këtë tender. Oferta më e ulët ishte në vlerën e 202 milionë lekë, ndërkohë “Albavia” ofroi 246 milionë lekë. Diferenca është plot 44 milionë lekë, ose rreth 450 mijë euro. Dy firmat që ofruan më pak u skualifikuan nga “Gjylja” e ARRSH-së, i cili dukshëm favorizoi këtë firmë, duke ngjallur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar. Gjylen e ka mbërthyer SPAK-u, por lekët janë ndarë dhe vështirë të kapen se ku kanë përfunduar.
Njoftimi i Bashkisë së Pogradecit për tenderin e rrugëve lidhëse të Qukës – Qafë Plloçë
“Albavia” fitoi një tender edhe nga Bashkia e Pogradecit për një rrugë lidhëse të fshatrave të Mokrës me rrugën Qukës – Qafë Plloçë. Në vitin 2024, Bashkia e Pogradecit shpalli fituesin e tenderit “loti IV, Ura e Zëmçës – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me një fond prej 220 milionë lekë.
“Albavia” fitoi këtë tender, megjithëse çështja shkoi në KPP apo edhe në gjykatë. Pra, nëse një firmë i fiton me lehtësi këto tendera, a mos vallë janë paracaktuar?! Të gjitha institucionet apo edhe titullarët që firmosën janë “vënë në radhë”, ndoshta me urdhër nga “ata lart”. Një burim i brendshëm tha se nëse një ditë BKH-ja do të sekustrojë këto dokumente, do të zbulojë një skemë të llahtarshme vjedhje.






