Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar pas deklaratave të gazetarit Almer Toska, se ka biseduar me Evis Berberin për pagesa në protestën e gjatë para bashkisë Tiranë.
Këlliçi ka shkruar se e gjithë kjo për të është shpifje dhe se do të ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
“Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit.
Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.” – thotë mes të tjerash Këlliçi.
“Personalisht nuk jam pjesë e konflikteve të brendshme të asnjë partie, nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi dhe nuk jam instrument në luftëra politike apo propagandistike.
Për këtë arsye, nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore sipas neneve të Kodit Penal.” – vijon më tej ai.






