Në Gjenevë u zhvillua sot samiti më i rëndësishëm diplomatik që nga nisja e luftës në Ukrainë, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë, Ukrainës dhe BE-së diskutuan për fatin e planit amerikan me 28 pika për paqen.
Delegacioni ukrainas i udhëhequr nga Andriy Yermak zhvilloi takim me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se nesër delegatët në Gjenevë do të vazhdojnë të punojnë drejt një plani paqeje, ndërsa u shpreh optimist se do të arrihet një marrëveshje.
Nga ana tjetër, BE ka propozuar planin e saj për paqen në Ukrainë në takimet që u zhvilluan në Gjenevë. Kundërpropozimi i paqes ndaj Shteteve të Bashkuara i diskutuar sot në Gjenevë nga përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe Ukrainës është përmbledhur në 24 pika.
Dokumenti i Trump për përfundimin e luftës përmbante 28 pika, të cilat kërkonin konkretisht lëshimin e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut nga Kievi dhe kthimin e Rusisë në G8. Konkretisht, dokumenti tregon se “të dyja palët në konflikt angazhohen për një ndërprerje të plotë dhe të pakushtëzuar të armiqësive në ajër, në tokë dhe në det”.
Evropa gjithashtu u angazhua në takimin e Gjenevës, me udhëheqëit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe të cilët dërguan këshilltarët e tyre të sigurisë. Bashkimi evropian përfaqësua nga shefi i kabinetit të presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, dhe bashkëpunëtorin kryesor të Presidentit të Këshillit evropian, Antonio Costa.
Ky i fundit, ka ftuar të 27 udhëheqësit e BE-së në një takim të posaçëm mbi Ukrainën, që do të mbahet të hënën në kuadër të samitit të Bashkimit Evropian-Bashkimit Afrikan.
Presidenti i SHBA Donald Trump tha se lufta duhet që të përfundojë. “Lufta duhet të përfundojë në një mënyrë ose në një tjetër”, u tha ai gazetarëve. Por ai u përgjigj “jo” kur u pyet nëse kjo ishte oferta e tij e fundit për Kievin, duke sugjeruar se ndoshta ka ende hapësirë dhe kohë për marrëveshjen.
Komenti i tij vjen ndërsa Ukraina dhe aleatët evropianë të Uashingtonit pohojnë se plani i paqes mund të shërbejë si bazë për bisedime, por kërkon “punë të mëtejshme”.






