Prokuroria e Tiranës ka njoftuar këtë të hënë, më 24 nëntor, se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit F.D. dhe Sh.D., të akuzuar për vrasjen me paramendim të biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur më 14 nëntor 2024.
Të dy vëllezërit do të përballen me akuzat për “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 78/2, 25, 278 dhe 279/1 e 25 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve, Prokuroria ka konkluduar se provat e mbledhura krijojnë bindjen përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Sh.D., në bashkëpunim me vëllanë e tij F.D., kanë kryer fillimisht tentativën e vrasjes ndaj E.R. më 8 nëntor 2024 dhe më pas ekzekutimin e tij më 13 nëntor 2024.
Konflikt i gjatë për pronën
E.R. kishte ndërtuar ndër vite dy pallate dhe një vilë në Tiranë, të cilat i menaxhonte duke i dhënë me qira. Konflikti me dy të pandehurit kishte nisur prej shumë vitesh, pasi lokali i vëllezërve kufizohej me atë të viktimës dhe një pjesë e tij ishte ndërtuar në tokën që i përkiste E.R.
Sipas Prokurorisë, mosmarrëveshjet u thelluan për shkak të interesave pasurore. Viktima u kishte kërkuar të pandehurve të lironin pjesën e zaptuar të tokës, ndërsa më vonë kishte propozuar edhe mundësinë e ndërtimit të një pallati të ri. Ky propozim, sipas hetimeve, i ka bërë të pandehurit të kuptonin se në rast zhvillimi ndërtimor viktima do të kërkonte pjesën e tij takuese, gjë që do t’u cenonte sipërfaqen e tokës të zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Hetuesit thonë se Sh.D., me profesion oficer policie, ka planifikuar vrasjen me paramendim së bashku me vëllain e tij F.D.






