Ngritja e KLP-së dhe KLGJ-së i hap rrugë edhe SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas ligjit, këto dy organe ngrihen dy muaj pas konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gazeta ka bërë një përllogaritje dhe SPAK dhe BKH me shumë gjasa do të jenë gati në fund të muajit nëntor ose në fillimi të muajit dhjetor, kohë kjo në të cilën pritet të nisë fuqishëm lufta anti-korrupsion.
Megjithatë, ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor çon automatikisht edhe në shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së drejtuar nga Ilir Meta. Edhe pse aludohej se KLD do mbijetonte edhe për pak kohë, me ngritjen e KLGJ, ky institucion është i sigurtë që zhduket.
KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin e gjashtë , kandidat për KLGJ
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi ditën e djeshme në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli. Ai ishte i pranishëm së bashku me avokatin e tij në seancën e Komisionit, kur iu komunikua vendimi nga trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Genta Tafa.
Gjyqtari Faqolli arriti të kalojë me sukses vetingun edhe pse në seancën dëgjimore, KPK konstatonte se DSIK ka paraqitur një raport i cili konstaton papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës.
Madje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se gjyqtari nuk kishte deklaruar 2 llogari bankare të bashkëshortes, ndërsa gjithashtu kishte shkelur ligjin duke e plotësuar deklarimin e tij me lekë të vjetra. “KPK konstatoi mospërputhje mes deklaratës në veting dhe asaj të vitit 2006 lidhur me një apartament banimi me sipërfaqe 83 metra katrorë në Tiranë, porositur për 42 mijë euro dhe blerë në 2015”, deklaroi KPK. Megjithatë, pritet zbardhja e vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për të parë argumentimin e kësaj vendimmarrjeje. Kështu shkon në 6 numri i kandidatëve për anëtar të KLGJ që kalojnë vetingun, kuotë e mjaftueshme për ktijimin e KLGJ-së/Rigels Seliman