Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thirrur sot në burgun 313 mbrojtësin e tij ligjor, avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit të SPAK, Alfred Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me “21 Janarin”, protestë në të cilën armët e shtetit vranë 4 protestues.
Më 21 Janar 2011, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës.
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër i drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”.
Ishte Gjykata e Strasburgut që e cilësoi 21 Janarin krim shtetëror dhe në vazhdë të këtij vendimi, Gjykata e Lartë më 12 mars 2024 urdhëroi SPAK të nisë hetimet dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë.
Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.






