Publikimi i të dhënave private të përftuara gjatë hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, për personat nën hetim, por që nuk kanë lidhje me dosjen, po kthehet në një problem serioz në vend dhe shumë personazhe publike po kërkojnë reagim nga SPAK.
Rasti më i fundit lidhet me hetimet ndaj Evis Berberit, ku një fotografi e nxjerr nga celulari i sekuestruar i tij – por pa asnjë lidhje me hetimet dhe e pa përfshirë në dosjen e akuzës – ka përfunduar në duart e Gazment Bardhit dhe është publikuar në media.
Gazetari Klodian Tomori shkruan se publikimi i saj nuk përbën asnjë interes publik dhe ajo nuk është konsideruar nga SPAK si indicie e aq më pak provë, përderisa nuk është përfshirë në dosje, por është nxjerr nga celulari i sekuestruar dhe tashmë po përdoret për linçim publik.
“Nxjerrja e saj ne publik thjesht dhe vetem demton SPAK-un dhe gjykimin e pavarur sepse u jep ze kritikave qe SPAK perdor rrjedhje te kontrolluar informacioni per te diskretituar te hetuarit publikisht.
Aq me teper kur foto te tilla pastaj interpretohen sipas qejfit. Dikush thote jane tek shtepia, dikush tjeter jane ne ambient pune. Ne fakt, ky eshte nje problem madhor qe SPAK duhet ta korrigjoje. Dhe nuk eshte vetem ceshtja e fotove”, shkruan ai.
Sipas gazetarit Klodian Tomori, ka raste kur në dosjet hetimore të SPAK transkriptohen përgjime që nuk kanë lidhje me hetimet dhe më pas materialet hidhen në publik dhe nis denigrimi i personave nën hetim apo të dyshuar.
“Rasti me flagrant kane qene disa mesazhe teresisht private ne dosjen e Erion Veliajt, te cilat jo vetem qe nuk kishin asnje lidhje me hetimin, por u perdoren per ta denigruar familjen e kryebashkiakut publikisht.
Kjo duhet te marre fund. Mesazhet duhet te kene filter, para se te publikohen. Nuk e di si zgjidhet kjo, por ndoshta SPAK duhet te krijoje nje komision etike brenda struktures qe te merret vetem me kete pune”, përmbyll gazetari.






