Edhe Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Ish-zyrtari kishte bërë ankimim ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme më datë 24 tetor, pasi pretendonte se i ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit.
Inceneratori i Fierit është pengesa e fundit për ish-zyrtarin që të dalë nga qelia. Në korrik të këtij viti, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Gjyqtari Xhevdet Lika argumentoi se për pjesën e mbetur të dënimit, Koka duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Ai është dënuar në shkallë të parë me 6.8 vite për inceneratorin e Fierit, ndërsa për Tiranën është dënuar me 2 vite.
Asnjëra nga vendimet nuk ka marrë formë të prerë në Apelin e Posaçëm. Për inceneratorin e Fierit, Koka pretendon se e ka ezauruar dënimin, me kohën e qëndrimit në paraburgim, referuar nenit 261 te kodit te procedurës penale pika 1/C, qe parashikon shuarjen e masës se sigurisë.
LEXO EDHE:
Berisha: SPAK nuk shkeli ligjin, pezullimi i Ballukut i drejtë! Por, po e lejon të prishë provat
Njoftimi i Gjykates:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më 26.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 270 akti, datë 17.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit L.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 656 akti, datë 24.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit” dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 656, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 26.11.2025.






