Këngëtari shqiptar Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në Itali, në moshën 40 vjeçare, duke lënë mes dhimbjes së pamasë familjen, miqtë dhe gjithë dashamirësit e muzikës së tij. Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni vajtojnë sot për një nga artistët me këngët e të cilit u rritën breza.
Ai ishte baba i një djali të vogël, të cilin tashmë Selvija duhet ta rrisë e vetme.
Shumë vite më parë, edhe babai i tij, këngëtari dhe tekstshkruesi Naim Kasapi ka ndërruar jetë në moshë të re, duke lënë fëmijët jetimë.
Vite më parë, nëna e tij Gjylymsere Kasapi ka treguar për ikjen e hershme të bashkëshortit dhe sakrificat për të rritur e vetme fëmijët. Ajo ka qenë pedagoge në Universitetin e Shkupit dhe deputete në Kuvendin e Maqedonisë.
Mesa duket, fati tragjik i këngëtarit ka qenë i shënjuar në rrugën e të atit e i tillë do të jetë edhe për bashkëshorten e tij Selvije dhe djalin Roel.
Vogëlushi do të rritet nga nëna e tij, pas vdekjes së parakohshme të Shpat Kasapit, ashtu siç u rrit edhe këngëtari nga nëna e tij Gjylymserja, kur tekstshkruesi Naim Kasapi ndërroi jetë dhe barra i ra asaj si kryefamiljare.
“Fatkeqësisht, Naimi vdiq në moshë relativisht të re dhe barra ngeli mbi mua. Është shumë e vërtetë se prindi asnjëherë nuk është i kënaqur më sukseset e arritura të fëmijëve, por kjo gjithsesi është subjektive. Konsideroj se fëmijët e mi kanë arritur atë që kanë dëshiruar dhe konsideroj se duhet të jem e lumtur si nënë e tyre”, është shprehur ajo vite më parë.






