Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ishte i ftuar në emisionin “Opinion” këtë të enjte, 4 dhjetor, ku sqaroi më shumë lëvizjen e tij brenda Partisë Demokratike.
Salianji tha se Partia Demokratike nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Sipas tij, ka disa ngjarje që kanë ndodhur në këtë vend dhe se reagimi i partisë ka qenë apatik.
“Shqetësimi është që nuk ka një reagim siç duhet. Duhej të shkulej vendi zotëri. Për këtë rast duhej të shkulej i madh dhe i vogël. E keni parë për raste më të vogla korrupsioni çfarë ka ndodhur tani në Bullgari, çfarë ka ndodhur në Rumani. Jemi në kushtet ku PD-ja nuk ka fuqi reaguese apo jo”, tha Salianji.
Salianji foli edhe për zgjedhjet e pjesshme, teksa tha se kandidatët që mbështeti PD-ja në të gjitha bashkitë nuk morën vota as sa për një mandat deputeti. Sa i përket protestave të përjavshme para Kryeministrisë për rrëzimin e qeverisë, Salianji ironizoi aksionin e selisë blu.
“Si? Duke folur dhe duke vënë muzikë para Ramës”, pyeti ai.






