Nga Zef Ndreka
Çuditërisht po ndodh edhe kjo. SPAK në emër të institucionit i bëri presion GJKKO-së!
Në këtë situatë po shihet shpalosja e një konflikti të hapur tashmë institucional, pikërisht midis SPAK dhe GJKKO, i cili tregon probleme të mëdha lidhur me presionin publik të prokurorisë dhe mungesën së koherencës procedurale në një çështje me ngarkesë politike jashtëzakonisht të lartë.
Në të vërtetë çfarë po ndodh?!
Sapo ka nisur përplasja SPAK me GJKKO-në.
Normalisht, çdo debat mes prokurorisë dhe gjykatës zhvillohet vetëm në dosje, jo në media. Pie deklarata e SPAK, e bërë me ton presioni, ishte një dalje e pazakontë dhe po përjetohet si ndërhyrje publike ndaj pavarësisë së GJKKO-së.
Në asnjë sistemin penal SPAK-u nuk vendos, por vetëm heton Ashtu siç GJKKO vetëm gjykon dhe nuk zbaton dëshira të prokurorit, por standardet e ligjit dhe afatet procedurale.
Prandaj, fakti që SPAK u shfaq “i mërzitur” apo paksa arrogant pse GJKKO nuk po e përshpejton procesin ndaj Veliajt, ka krijuar perceptimin e një përpjekjeje për të orientuar vendimmarrjen.
Pretendimi se SPAK ka kryer veprime hetimore pas mbylljes së hetimeve, nxjerr një problem serioz procedural, pasi pas shpalljes së mbylljes së hetimit në kuptimin e nenit 328 të Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të ketë veprime të reja hetimore ndaj të pandehurit pa rihapur hetimin.
Kështu, çdo material i mbledhur pas atij momenti mund të shpallet i pavlefshëm.
Në këto kushte, gjykata ka detyrimin të verifikojë përputhshmërinë mes dosjes së depozituar dhe materialeve reale të hetimit.
Ndërkohë, Veliaj nuk është njohur me dosjen e plotë dhe kjo prek një nga të drejtat më themelore të mbrojtjes dhe përbën një skandal më vete.
Lind natyrshëm kjo pyetje: Përse bëri këtë presion publik SPAK-u, përse ky nxitim dhe a është problematike kjo për drejtësinë?
Sigurisht, nxitimi për të kaluar fazën paraprake, pa adresuar këto shkelje të pretenduara, shihet si shmangie nga kontrolli i ligjshmërisë së hetimeve, pra si përpjekje për të kaluar në gjykim pa debat juridik mbi procedurat e dyshimta.
Në këtë rast, gjykata me të drejtë, e merr kohën e saj jo për të mbrojtur mbron Veliajn, por sepse verifikon rregullshmërinë e dosjes.
Për këtë presion konkret, pati edhe reagime të raporteve ndërkombëtare, ndër të cilat dy apo tre raporte në Bruksel e quajtën çështjen “linçim” ose “nën standardet e BE”, duke i dhënë peshë politikës së mbrojtjes së Veliajt. Jo se raportet përcaktojnë fajësinë, por sepse tregojnë se perceptimi i procesit nuk është neutral, padi në rastet e dosjeve me interes të lartë publik, perceptimet janë njëlloj të rëndësishme sa faktet juridike.
Nga reagimet janë vlerësuar shkelje procedurale të standardeve të gjykimit të drejtë, në një proçes transparence.
Me këtë sasi akuzash dhe kundërakuzash, duket se çështja Veliaj po përgatitet me drejtim nga Strasburgu, pavarësisht vendimit që do të japë GJKKO.
E gjitha kjo tregon se ka një krisje të madhe të besimit institucional ku SPAK duket se kërkon të imponojë ritmin e vet, ndërsa GJKKO po ruan distancën e një gjykate që nuk pranon presion.
Mbrojtja po përdor çdo shkelje procedurale për të minuar të gjithë dosjen kundër Veliajt dhe publiku po sheh një proces më shumë të ngjashëm me një betejë politike sesa juridike.
Ky proçes tregon një nga rastet kur institucionet nuk po flasin më me akte, por me deklarata, dhe kjo është shenja më e qartë se çështja Veliaj ka kaluar kufijtë e një procesi normal penal. Në këtë kontekst, deklarata e fundit e SPAK-ut po shihet si shenjë pasigurie dhe jo si forcë.






