Është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes policisë dhe banorëve procesi i prishjes së banesave te Liqeni i Thatë, në Tiranë. Forca të shumta policie janë mbledhur te shtëpia e familjes Peti, aty ku prej orëve të mëngjesit djali i vogël i kësaj familje, Klajdi Peti, kërcënoi se do të hidhej nga çatia e banesës.
Familjarët nuk kanë pranuar të lirojnë banesën e tyre dhe janë përplasur me forca të shumta policie. Këta të fundit i kanë nxjerrë me forcë banorët, duke i shoqëruar në komisariat. Pas negociatave të shumta, ka zbritur nga çatia dhe i riu, i cili është marrë menjëherë nga policia.
Menjëherë sapo fadromat kanë nisur të shembin muret rrethuese të banesave, një grua është ndjerë keq dhe i është dhënë ndihmë nga forcat e policisë, të cilat ndodhen në vendngjarje prej orëve të mëngjesit.
Pak më parë në çati u ngjit dhe kushëriri i Klajdit, Albert Osmani, i cili pas një qëndrese të shkurtër zbriti, ndërsa i riu Klajdi Peti u shpreh i bindur se do të vdesë dhe nuk zbret.
“Nuk kam se çfarë të humb më, nëse vdes më mirë për mua dhe shtetin, një më pak”, tha i riu mbi çati. Ndërkohë, një banore është ndjerë keq, ndërsa fadroma vijon punën për prishjen e mureve rrethuese.Klajdi Peti nuk pranon të lirojë shtëpinë, duke thënë se e ka me letra, ndërkohë që zona ku ndodhet banesa e tij është shpallur si zonë parku. I riu Klajdi Peti ka folur për Report Tv nga çatia e shtëpisë, duke sqaruar se nuk ka zgjidhje tjetër, pasi nuk ka ku të shkojë nëse i shembet banesa.
Pse jeni detyruar të hipni?
E kemi ndërtuar në pronën tonë. Prona është e imja. Jeta ime është e rrezikuar në këtë vend. Nuk kam zgjidhje tjetër, të na shpërblejnë për truallin. Nuk kam ku të shkoj, nuk kam punë.
Vëllai i Klajdit: Unë jam banor i kësaj banese, e ndërtuar më 1995 në tokë private. Që kur doli vendimi për legalizimin e banesave pa leje kemi pritur legalizimin. Tani na vjen shkresa që thotë se ti përjashtohesh nga ALUIZNI, pasi është shpallur park. Unë jam pronar trualli, si mund të shpallet park. Tani na sjell urdhër prishje, punë tre ditësh. Ne duam të na shpronësohet trualli, të na jap lekët shteti dhe të lirojmë banesën. Ndryshe ne nuk e lirojmë shtëpinë. Bëhet fjalë për katër banesa, të gjithë në tokën e tyre. Pse nuk e presim procesin gjyqësor të rregullt, për çfarë nxitohen? Të vijnë zyrtarët e qeverisë këtu. Duan me na grabit pronën. Shkresa për largim nga banesa na erdhi më 25 janar?
(I riu mbi çatinë e banesës, teksa kërcënon se do të hidhet)
Report Tv ka pyetur dhe banorët e shtëpive të tjera, që janë në plan për t’u shembur, pasi parashikohet ndërtimi i një parku në këtë zonë, e cila cilësohet si e gjelbër. Me lot në sy banorët kanë thënë për mikrofonin e Report Tv se me këtë vendim po i varrosin, pasi nuk kanë shtëpi ku të fusin kokën.
“Na ka varrosur banorët e shtëpisë, ku të shkojmë. Ku të fusim kokën ne të shkretët. Jam e sëmurë. I kemi të gjitha dokumentet e banesave, i kemi në tokat tona”, thanë banorët.