Ish-kryeministri Sali Berisha, muajin e kaluar, dhe ish-presidenti Bamir Topi ditën e sotme, kanë kaluar tashmë të 2 derën e SPAK, ku janë marrë në pyetje lidhur me krimin shtetëror të 21 janarit.
Por, deklaratat e tyre pas daljes nga SPAK ishin të ndryshme, ku Berisha tha se nuk është ballafaquar me dëshmi të tjera dhe se i është kërkuar shpjegim vetëm për një pretendim të Topit, sipas të cilit Lulzim Basha e ka takuar presidentin më 22 janar për të ndikuar tek Ina Rama.
Berisha e ka mohuar që ta ketë çuar Bashën tek Bamir Topi për të negociuar që mos të zbatoheshin urdhërarrestet. Ndërkohë, Topi i thirrur si person që ka dijeni, refuzoi të japë detaje për thirrjen në SPAK duke thënë se çështja është në hetim.
Emisioni ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, zbardhi sot disa pjesë nga libri i ish-presidentit Bamir Topi Nocturn. Pjesë të librit të ish-presidentit zbulojnë detaje të reja mbi ngjarjet e 21 janarit, ku sipas rrëfimit të Topit, më 23 janar 2011, Lulzim Basha atëherë ministër i Brendshëm e ka vizituar në banesë herët në mëngjes, i shqetësuar nga ngjarja.
Topi shkruan se Basha i ka kërkuar ndërhyrje te Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, për të “tërhequr” urdhërndalimet ndaj zinxhirit komandues të Gardës.
LIBRI NOCTURN: BASHA NË SHTËPINË E BAMIR TOPIT NE 23 JANAR 2011, Bamir Topi: “Të nesërmen, më datë 23 janar, ditë e diel, herët në mëngjes mora një telefonatë nga Lulzim Basha, ministër i Brendshëm dhe pas përshëndetjes së rastit kërkoi të më takojë. Rreth orës nëntë të atij mëngjesi e prita Lulin në zyrë të improvizuar në banesën time. Ishte i shqetësuar, nuk e fshinte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve.
-Mirëmëngjesi, mirë se erdhe! -hapa bisedën.
-Mirëmëngjesi! Ndoshta herët se është dhe e diel! -më tha.
-Jo, i thash. Jam pothuajse pa gjumë gjithë natën duke ndjekur ç’po ndodh. Meqenëse jemi këtu, ç’po ndodh në këndvështrimin tënd në marrëdhëniet me prokurorinë? – vazhdova bisedën. Pas një hezitimi të shkurtër më thotë: “Në fakt për këtë çështje erdha të bisedoj! Ne jemi të shqetësuar për urdhërndalimet e zinxhirit komandues të Gardës”! -Erdha të them edhe në emër të kryeminis- trit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! – tha Luli duke mbyllur kërkesën e tij”.
LIBRI NOCTURN: BASHA NË SHTËPINË E BAMIR TOPIT NE 23 JANAR 2011
Bamir Topi: Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demostruesit, policët, gardistët e kushdo qofte pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. I kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe garda apo policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin. Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme. Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikoj se do të shkojë jo mirë”, shkruan Topi.






