Botuesi Carlo Bollino ka konfirmuar në median e tij dyshimet e reflektuara në disa artikuj të gazetës “SOT” se Belind Këlliçi është derivat apo fije e një prej linjave kryesore qeveritare, me qëllim përdorimin e tij si kamuflim për protestat e organizuara kundër Erion Veliajt si dhe kundër shembjes dhe ndërtimit të teatrit, projekt i Edi Ramës dhe Erion Veliajt bashkë. Janë ekspozuar komunikime tejet kompromentuese mes Belind Këlliçit të PD-së dhe vartësit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Si nisi ngjarja?
Ishte maji i vitit 2020 dhe kryetari i atëhershëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ishte një prej më aktivëve në protestat që bëheshin për Teatrin Kombëtar. Më 17 maj godinat e Teatrit Kombëtar u shembën për t’i hapur rrugë ndërtimit të teatrit të ri, ndërsa protestat të fokusuara kundër Bashkisë së Tiranës dhe me akuza të forta ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj vijuan edhe disa ditë më vonë. Belind Këlliçi më 17 maj shoqërohet për në komisariat ndërsa pretendonte në atë kohë se ishte dhunuar edhe nga policia e shtetit. 5 vite e gjysmë më vonë, janë zbuluar fakte, që mund të vërtetojnë psenë e ‘devotshmërisë së pashoqe’ të Belind Këlliçit në protestat, kundër Ramës dhe Veliajt, në atë kohë. Këto komunikime i përkasin datave 19 maj dhe 21 maj 2020. Janë siguruar nga screenshot të zbuluara në telefonat e drejtorëve nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të sekuestruar në kuadër të hetimeve ndaj ministres Belinda Balluku dhe disa vartësve të saj. Mesazhet në këto dy screenshot shkëmbehen mes Belind Këlliçit dhe një personazhi tjetër Arbër Avramit. Në atë kohë Avrami ishte vartës i Belinda Ballukut pasi prej vitesh drejtoi kompaninë shtetërore të gazit, “Albgaz”, në varësi të Ministrisë së Energjisë. Arbër Avrami u riemërua edhe dy herë të tjera ngas Balluku në atë pozicion me mandat 3-vjeçar, 6 prill 2021 dhe më 15 prill 2024, për t’u larguar më pas shtatorin e 2024-s. Avrami konsiderohet si një prej njerëzve më të afërt të Belinda Balluku, ndërsa është raportuar kjo fotoja nga mediat më herët teksa shihet vetë kreu i “Albgaz” që shoqëron ministren teksa kryen blerje në dyqane luksoze në Athinë.
Balluku dhe vartësi i saj Avrami për shoping në dyqanin “Ralph Lauren” në Athinë
Të rikthehemi te mesazhet. Belind Këlliçi me këtë numër telefoni që përfundon me 011, që është verifikuar që e posedon deputeti i PD, i shkruante Arbër Avramit 19 majin e vitit 2021: “Bëhem dhe unë të enjten. Si të doni”. Zyrtari i lartë, vartës i Ballukut i shkruante po atë ditë vetëm pak minuta më pas “mund të marrësh dhe ca protestues të enjten dhe të na bashkoheni”. Komunikimi vijon të enjten, pikërisht më 21 maj 2020. Nga komunikimi mes tyre duket se protesta është shtyrë. Arbër Avrami i shkruan Belind Këlliçit: “Atëherë nesër, nëse janë dakord të tjerët, të bëhen mbylljet totale”. Gatishmëria e Këlliçit ndaj drejtorit Avramit është 100%: Unë si të doni, sot e nesër. Pra kreu i FRPD në atë kohë, një prej zyrtarëve më të lartë të opozitës, Belind Kellici, shprehet se është i gatshëm të marrë pjesë “sot e nesër”, duke lënë të hapur datën sipas nevojës së grupit. Fakti është që më 22 maj 2020, të nesërmen e këtij komunikimi u organizua protesta e radhës kundër prishjes së Teatrit, e organizuar zyrtarisht nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Nën kamuflimin e ‘Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit’ u organizuan më pas edhe për vitet në vijim dhjetëra protesta para Bashkisë së Tiranës, me në krye Belind Këlliçin, që kërkonte arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Si e ekspozoi Berisha-Këlliçin
Vetëm një muaj më parë, ishte vetë Sali Berisha që artikuloi publikisht se Belind Këlliçi u ndihmua nga zv. kryeministrja Belinda Balluku në protestat kundër Erion Veliajt para Bashkisë së Tiranës. Deklarata e Berishës u bë nga selia blu, ku zv.kryeministren Balluku të pandehur për tunelin e Llogarasë, e quajti si hajduten më të madhe në histori, por tha se ndaj saj nuk do të bëjë protesta dhe flet për një luftë tjetër të brendshme, këtë radhë në kampin rozë. Një detaj shumë i rëndësishëm për marrëdhënien mes Belind Këlliçit dhe vartësit të Belinda Ballukut, është fakti se Arbër Avrami kishte për një periudhë të gjatë kohe këshilltar të posaçëm vëllain e deputetit të Berishës, Reshard Këlliçi. Vëllai i Belind Këlliçit punoi në institucionin në varësi të Ballukut me një pagë prej 1.9 milionë lekësh të rinj. Akuzat që protestat e Këlliçit para bashkisë janë financuar nga Balluku janë artikuluar edhe herë të tjera, madje edhe nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në intervistat dhënë tek televizioni i familjes Berisha. Por është hera e parë që dalin fakte që lidhen stafin e Belinda Ballukut edhe me protestat e Teatrit, ndërkohë që në shënjestër të opozitës nuk ishte vetëm Erion Veliaj, por edhe Kryeministri, i cili sapo e kishte emëruar Belinda Ballukun ministre dhe pas dy vitesh i besoi rolin e zv/kryeministres së vendit
Reagon Belind Këlliçi
Në lidhje me mesazhet e publikuara, Këlliçi akuzoi dje drejtpërdrejt Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn, se qëndrojnë pas një fushate mediatike të orkestruar kundër tij, të cilën ai e cilësoi si ‘dorë e pushtetit në hall’. “Carlo Bollino, që e dini fare mirë edhe hallin e Carlos, edhe ku paguhet Carlo, ku e ka televizionin Carlo. Carlon unë e ftoj meqë jam në emision këtu te ju sot, e ftoj që nesër paradite të vijë në gjyq dhe të paraqitet në gjyq dhe të mos fshihet. Dhe i rikujtoj dhe njëherë qytetarëve që janë pikërisht këto media, kjo media e ngritur mbi një truall, i cili është falur nga familja Begeja dhe jo vetëm dhe familje të tjera tiranase, qytetarëve të Tiranës për t’u ndërtuar një shkollë aty për njësinë shtatë, për 70.000 banorë që nuk e kanë një shkollë, dhe këtë truall ta merr Edi Rama mbasi vjen në pushtet me 1 euro ja jep leçjanit me qira dhe me paratë që i jep përmes tenderave përmes AKSHI-t, oborrit të tij privat të milionave të eurove dhe korrupsionit, sigurisht ushqen këtë media për të patur këtë propagandë dhe për të goditur në mënyrë të përditshme këdo që denoncon korrupsionin në vend. Madje do them dhe një detaj tjetër për t’ia kujtuar qytetarëve, që të bëhet ky televizioni, janë dhënë dhe nja 2 milionë euro nga paratë tona, si qytetarë, nga taksat tona, për të shpronësuar pronarët aty, që ta kuptojmë. Pra, shpronësohen pronarët me paratë e qytetarëve dhe i jepet me 1 euro. Është periudha e pandemisë. Dhe në fakt është dy ditë pasi unë jam arrestuar teksa protestoja për shëmbjen e Teatrit Kombëtar. Dy ditë në mos gaboj pas shembjes së teatrit kombëtar dhe unë s’e kuptoj për çfarë lidhet me protesta. Mund të luash edhe periudhë pandemie, mund të koordinohesh edhe me hy online me luajt tavëll, apo me luajt me letra. Pra është qesharake. Jo, në datë 19 unë kam dalë nga komisariati të nesërmen, se kam dalë në datë 18. Kam qenë i arrestuar. Por është kaq qesharake. Një minutë të them thelbin. Pra, ka gjashtë muaj që thuhet që unë kam qenë në komunikime permanente me Evis Berberi. Ka gjashtë muaj që thuhet që unë kërkoja para dhe merrja para për molotovët. Ka 6 muaj që thuhet që mua më jepeshin direktiva si të organizoheshin protestat, duhet të mblidhja njerëz, më jepeshin para për të organizuar protestën para Bashkisë Tiranë, e cila në fakt kishte ndodhur dhe unë e demontova herën e parë me reagimin tim publik, se ishte një vetëasgjësim logjik i atyre që kishin ngritur edhe akuzën e parë, duket që është e njëjta dorë, që është sigurisht Erion Veliaj nga qelia e Durrësit, apo janë shokët e Erion Veliajt nga qelia e Fierit, apo është motra e Erion Veliajt që pritet shumë shpejt Belinda Balluku t’i bashkohet në qeli Erionit, apo është babai i të dyve, mentori i të dyve, Edi Rama, edhe i Veliajt, edhe i Belës, që i ka këto gjëra. Pra, edhe i Lalit edhe i Belës ka një mentor, Edi Ramën, që sot është në hall. Po ai është në hall për një arsye tjetër, për shkak të kësaj vizitës në Amerikë, që do kemi kohë që të ndalemi pak. Dhe për shkak të nja dy gjërave që janë thënë në Amerikë dhe në këtë rezolutën që unë kam marrë me vete. Se Shqipëria sot zyrtarisht paraqitet një narko-shtet, një regjim narko-autoritar nga Partia Republikane Amerikane dhe nga organizata më e madhe e qendrës së djathtë në botë, që është IDU-ja. Këtu është halli i vërtetë, që ta kuptojmë. Por e gjithë kjo tentativë e 2020-ës, që s’ka asnjë lidhje, as komunikim për as edhe një detaj në raport qoftë me protesta, qoftë me organizime, zero. Unë do të ftoja, për hir të transparencës, këdo që disponon apo që mendon se ka komunikime apo që gjen qoftë një presje timen me Evis Berberin, a me këdo zyrtar të shtetit që më implikon mua në një çështje politike, ta nxjerrin, ta bëjnë publike. Por këto metoda për të krijuar spin-off-e, për të hequr vëmendjen nga skandali i radhës, Për të hequr vëmendjen nga debati Rama-Balluku, nga vjedhja e 50 milionë eurove te tuneli i Llogarasë, sigurisht nxjerrin zbuluar ata që janë sot në hall të madh, që sigurisht është Erion Veliaj, është Belinda Balluku dhe është Edi Rama. Dhe janë po mediat e tyre. Këtë pa diskutim, këtu është dora e Erion Veliajt, pa diskutim, është dora e Erion Veliajt dhe është media personale e Erion Veliajt. Është media që unë kam nxjerrë dokumente, se duhet t’i kuptojnë t’i thërrasim pak kujtesës. Është kjo media të cilës unë i kam nxjerrë faturat që merrte nga inceneratori i Tiranës në sallën e parlamentit, kur kam qenë deputet. Është kjo media që është ushqyer dhe që janë në proces dhe që e ftoj nesër të vijë në gjyq, të përballet në gjyq. Ka kallëzim, po patjetër, ka kallëzim me shkrim të regjistruar nga SPAK-u, të regjistruar në regjistrin e veprave penale, por pa autor, por të regjistruar, dhe është kallëzimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kjo që ju them unë, dhe kallëzimi i sekretarit të përgjithshëm të PD-së. Pra, unë e kam bërë detyrën si qytetar. Megjithatë, një mesazh të qartë e kam. Nëse mendon Carlo, apo Erion Veliaj, apo Belinda Balluku, apo tutori i të dyve, Edi Rama, se mund të më shantazhojnë mua me këto fake news-e, dhe ta ndajnë mendjen për fake news-et. Kur organizoja unë protesta me porosi të tyre, në 2024-ën, në 2023-shin, 2022-shin, apo tani na dolin në 2020-ën? Këta e kanë të kotë, mua më kanë përballë. Unë po përgatis një kallëzim të ri, këtë herë rast të drejtuar drejtpërdrejt tek Edi Rama, për të gjitha vjedhjet dhe abuzimet. Këtë radhë do të ndalohemi një çikë edhe te pronat publike të këtij vendi”, tha ai ndër të tjera në një intervistë televizive.





