Endri Shabani me shumicë votash është zgjedhur Avokat i Popullit. Ai u zgjodh me 85 vota pro dhe 3 kundër e 0 abstenim.
Votimi në Parlament u krye mbrëmjen e së enjtes.
Opozita u largua nga salla në momentin e votimit, për t’u kthyer pasi ai përfundoi.
Debati për Avokatin e Popullit përpiu seancën plenare të kësaj të enjteje. Kalimi i kandidaturave për votim, në një kohë që opozita kishte tërhequr firmat mbështetëse, u bë shkak që demokratët të nisnin akuzat për një proces të paracaktuar.
Si për të përforcuar argumentin e tyre, demokratët risollën në sallë një procesverbal të vitit 2022, kohë në të cilën socialistët kishin tërhequr firmat mbështetëse për një ish-kandidat për Avokat Populli.
Argumenti më i fortë i socialistëve për të vijuar votimin ishte se kandidaturat e përcjella në Parlament kishin firmat e demokratëve, përfshirë Endrit Shabanin, njeriun për të cilin u bë i gjithë debati.
Demokratët për ditë me radhe u munduan të bindnin opinionin se nuk i kishin dhënë firmat ish-kryetarit të Nismës Thurje, por Sali Berisha e kuptoi se justifikimi nuk po ngjiste, ndaj doli të jepte një tjetër shpjegim.
“Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë Endri Shabani kur ai mbështeti Florian Binajn, se nuk mund të them që nuk ishte një koalicion moral i plotë i të gjitha forcave politike. Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën“, tha Berisha.
Por ajo që habiti në qëndrimin e Berishës, ishte fakti se pavarësisht se e konsideron procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit një farsë, nuk do ta kundërshtojë atë në Kushtetuese.
“Jo nuk do ta çojmë në Kushtetuese”, tha lideri demokrat.
Votat që morën kandidatët për Avokat të Popullit:
Tartar Bazaj, 1 pro, 79 abstenim dhe 7 kundër
Aranita Brahaj, 4 pro, 76 abstenim dhe 7 kundër
Skënder Haluci, 1 pro, 72 abstenim dhe 14 kundër
Adriana Kalaja, 0 pro, 69 kundër, 17 abstenim
Besim Ndregjoni, 0 pro, 61 abstenim, 25 kundër.
Endri Shabani, 85 pro, 0 abstenim dhe 3 kundër.






