Nga Adriatik Doçi
1. Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut është një akt inatçor me natyrë personale i Altin Dumanit në muzgun e mandatit si drejtues i SPAK, një veprim i nxituar me një shkresë të arnuar në kuadër të përleshjes me qeverinë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi paraprakisht SPAK-un dhe GJKKO duke pezulluar pezullimin e zonjës Balluku.
2. SPAK nuk mund të veprojë si gjel që i kërcen kundërshtarit, por si institucioni kryesor i reformës në drejtësi duhet të priste me durim dhe maturi vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në 22 janar 2026 për shqyrtimin e masës së parë të kërkuar nga SPAK për Belinda Ballukun, ashtu siç ka pritur shumë vendime në favor të SPAK, përfshirë edhe legjitimimin e komunikimeve në SkyEcc.
3. Në njoftimin e SPAK për kërkesën drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belina Ballukut, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, nuk ka një çështje të re, por një zgjerim artificial dhe në inerci të çështjes së parë me disa lote të shtuara të Unazës së Madhe, me qëllim për të përligjur kërkesën dhe kamufluar kacafytjen me qeverinë.
4. Kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut nuk ka lidhje me shtetin ligjor, ndërtimin e një akuze serioze dhe proces të drejtë ligjor, por me një luftë gjelash. “Nuk more vesh me masën e parë, po hedh vickla dhe më sfidove në Kushtetuese, unë mund t’a rëndoj dorën; t’a gëzosh masën e arrestit”! Jemi në korrniza dhe shina ligjor. Nuk jemi duke shqyer tortën e pavarësisë.
5. Masat e sigurisë për një subjekt dhe për të njëjtën çështje vijnë duke u zbutur, ndërsa SPAK kalon nga një masë e lehtë siç është ‘detyrim paraqitje’ tek masa më ekstreme ‘arrest me burg’, një veprim që relekton mllef, nervozizëm, mungesë të thellë profesionalizmi, maturie dhe respekti për funksionin që të kanë besuar.
6. Kuvendi përfaqëson drejtëpërdrejt vullnetin e popullit. Çdo institucion tjetër, i pavarur apo i varur, është derivat i Kuvendit. Si i tillë, Kuvendi nuk mund të jetë noter i SPAK-ut, por duhet t’a shqyrtojë me eksepertët e tij të fushës së ligjit bazueshmërinë dhe rrethanat e kërkesës së SPAK për imunitetin e Ballukut.
7. Rrëzimi i kërkesës së SPAK për imunitetin e Ballukut nuk e zhbën çështjen penale ndaj saj, por i vendos fre yryshit statistikor të SPAK me numra frymorësh në burg dhe praktikës së mbledhjes së provave rrugës pas arrestimit të subjekteve, duke e kthyer institucionin në normalitet.






