Pas kallëzimit penal të bërë pak kohë më parë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrestimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Dashamir Xhika, i cili vinte nga radhët e LSI.
Pas kësaj kërkesë, janë lëshuar 11 urdhër-arreste, ndërsa Gjykata e Elbasanit ka vendosur kontroll banese për Xhikën dhe 5 persona të tjerë, të cilët akuzohen për abuzim me detyrën, e konkretisht në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat për ndërtimin e kësaj rrugë kanë nisur që në vitin 2009.
Po ashtu edhe pse ishte shmangur disa herë Shkëlzen Berisha ka mbërritur në Prokurori pasditen e djeshme rreth orës 18:00 jashtë orarit zyrtar për të dhënë dëshminë e tij lidhur me skandalin CEZ.
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit gazetari Adriatik Doçi shkruan në një status të tij:
“Sot është zgjuar në qeli çizmja më e madhe e korrupsionit me rrugët.
Mbrëmë ka dalë si mi nga dera e prokurorisë Shkëlzen Berisha nga skota e të ‘paprekshmëve’.
Në të njëjtën kohë, peshku më i madh i drejtësisë Gjin Gjoni po përpëlitet në rrjetën e Vetingut.
Peshkaqenët e politikës kanë nisur të sëkëlldisen. Donald Lu dhe Romana Vlahutin po ngrenë flamurin e pavarësisë së dytë të Shqipërisë.
Mirënjohje të pamatë SHBA-BE.”