Pas foltores së sotme në Manzë, Muli ishte pak më shumë entuziast se herët e tjera.
-Na shpëtoi kjo skema e foltoreve në fshatra, i tha Lelos.
-Pse? – i tha Lelo.
-Është shumë e rehatshme. E para, do pak punë për organizim, se fshati mblidhet i gjithë nga kurioziteti. E dyta, aty flet çfarë të duash, se nuk është se ata janë të qartë për situatën. Dhe mbi të gjitha, nuk ta vë re njeri këtë pjesëmarrje, se në fund të fundit, në fshat je.
-Këtu ke të drejtë – tha Lelo – nuk më kishte shkuar mendja. Plus që Doktori e ka dhe lagjen e vet aty në Manzë, se e ka rrugës për në shtëpi në Lalez.
-Po, po – tha Muli. Sot po kthehej nga Lalezi, se ishin për Krishtlindje aty, dhe me këtë rast bëri dhe Foltoren. Pastaj, meqë kishte shumë trafik për Tiranë, u kthye prapë në Lalez.
-Kjo pjesëmarrja e Ndojës më pëlqeu shumë – tha Lelo – se ai kishte filluar, dukej si deputet i pavarur, dhe ia kisha frikën. Por qenka njeri me norma.
-Patjetër – tha Muli – ashtu duhet të jenë deputetët. Të kenë dhe vërejtjet e tyre për PD, por jo të dalin kundër kryetarit. Ky ishte dhe një mesazh i madh nga foltorja e Manzës.
-E qartë – tha Lelo – ky është mesazhi më i qartë kundër modelit Salianji deri më tani. Kështu duhet të vazhdojmë. Foltoren tjetër ta bëjmë në Dërmenas, ku Luan Baçi të bëjë disa kritika për Doktorin, që lidhet më shumë se ç’duhet me partinë, dhe kjo nuk do të lejohet më.






