Kryeparlamentari Niko Peleshi, i është përgjigjur zyrtarisht deputetëve të Partisë Demokratike, pas kërkesës së këtyre të fundit për caktimin e datës së mbledhjes së dytë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministers së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Llogarasë, dhe është nën hetim për ndërhyrje të mundshme në 10 tenderë të tjerë.
Peleshi argumenton se kërkesa e 5 deputetëve demokratë që janë pjesë e Këshillit të Mandateve nuk pranohet pasi ende nuk është ezauruar koha e nevojshme që i duhet palës mbrojtëse, pra Ballukut, të njihet me aktet dhe dhe provat e paraqitura nga SPAK në Kuvend, dhe të përgatisë mbrojtjen e saj para ligjvënësve.
Në përgjigjen zyrtare Peleshi shton më tej se Kuvendi duhet të presë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur të marrë në shqyrtim ankimin e kryeministrit Edi Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra.






