Lajmi për arrestimin e Maduros e lumturoi pa masë Mulin. Mori me urgjencë në telefon Gimin e Puros për ta pyetur se si do të vazhdojë aksioni.
— Ra Maduro! — i tha Gimi. — E di — i tha Muli — por Madurua jonë kur do të bjerë?
— Janë nisur — tha Gimi. — E kam burim të sigurt. Komshiu që kam pasur në SHBA, ka kushëri njeriun që ka komshi shoferin e një senatori amerikan dhe kishte dëgjuar senatorin që i thoshte në telefon Sekretarit të Luftës: “Anijet të mos ndalojnë, të nisin për në Adriatik”.
Sekretari i Luftës ishte hutuar dhe e kishte pyetur: “Pse, ka dhe diktator tjetër me emrin Adriatik?” — Jo, jo — e kishte sqaruar ky — është deti i një diktatori tjetër, quhet Ramaduro, e kam lexuar në një portal në SHBA. E kishte fjalën për shkrimin tim.
— I madh je! — tha Muli. — Çfarë tha ai Sekretari i Luftës? U nis?
— Po, po, u nis luftanija. Ajo do pak kohë të arrijë, por deri atëherë duhet të organizohemi që kur të hyjë ajo në ujërat territoriale, ne të hyjmë në Kryeministri. Pastaj ata nisin helikopterin nga luftanija, rrëmbejnë Ramën në Surrel dhe sarajet i pushton Klevis Balliu. Ne duhet të marrim Kryeministrinë që të mos na futet Tiku i pari.
— Unë mendoj që në fillim duhet të sulmojmë 313-ën — tha Gimi — të nxjerrim Ilir Metën. Pastaj i hap ai gjithë këto dyert se ka çelësa rezervë. Ska nevojë t’i thyejmë.
— Akoma më mirë — tha Muli. — Vetëm pyet me çfarë shpejtësie ecën ajo luftanija që ta bëjmë programin fiks, mos të lodhemi kot më parë.
— Sa të mbarojë telefonatat Trumpi dhe do të lidhet me këtë senatorin, dhe e merr shoferi i tij e ja thotë atij mikut tim që e kam komshi dhe ia ma tregon mua, pastaj jemi të informuar tamam.






