Nga Shefqet Meko
-Britmat shqiptare “pranga-pranga” dhe impotenca profesionale e SPAK-
Kam ndjekur nga larg “entuziazmin shqiptar” për një institucion të drejtësisë siç është SPAK. Ka pasur një pritshmëri të lartë që zgjati vite të dukej. Në ditët e sotme, sipas mendimit tim,SPAK-u shqiptar, të kujton Aranit Çelën e kohës që shkoi: Lëshon akuza dhe arreston. Populli duartroket. “Mirë jua bënë. Hajdutë…Të korruptuar”. Është e logjikshme revolta dhe mosdurimi i një populli, që më keq se në komunizëm, në këto vite të “demokracisë shqiptare” është vjedhur, poshtëruar dhe mashtruar nga “pjellat e veta”. Nuk ka dyshim, që për ne që jetuam dhe dëshmojmë “dy kohët” e shoqërisë shqiptare, klasa e sotme politike, jo vetëm ka tejkaluar “Byronë politike”, por ajo është bërë edhe “kasta e neveritshme” për të gjithë. Dhe kur them këtë, kam parasysh si pushtetin dhe “shpresëpushtetin” që është zhytur në “llumin e vet”.
Cila do ishte gjëja më e realizueshme e SPAK?
Fare thjesht:Ky instrument i sistemit të drejtësisë shqiptare, mendoj se së pari duhet të kishte shëruar “plagët e vjetra”: Të kishte zbardhur dramën e vitit 1997, të kishte ngritur qartësisht akuzën e Gërdecit dhe Vrasjet në Bulevard. Nëse kjo “shpresë e madhe” e shqiptarëve, do kishte mundur të realizonte një hetim të plotë dhe një akuzë profesionale për këto ngjarje, do kishte mundur të hidhte “themelet e drejtësisë” së vonuar shqiptare. Pikërisht, duke ngritur akuzat për këto ngjarje të mëdha kombëtare përballë gjykatës dhe të kishte fituar, SPAK do kishte bërë “navigjet” e veta. Pra do ishte konfirmuar si një instrument që kërkon drejtësi.
Nëse vërëjmë, SPAK-u shqiptar, më shumë është fokusuar tek “ç’ëshjtet e ditës” që duhet të ishin subjekt i një institucioni tjetër siç është ai i verifikimit të pasurisë së zyrtarëve. Kapërcimi i SPAK tek “çështjet e ditës”, duke harruar “plagët e maisura” shqiptare, jo vetëm dëshmon për një aventurizëm politik, por për me keq, e bën këtë pjesë të drejtësisë shqiptare një “lojë me dy porta” ku të gjithë shohin “autogol”.
Shqiptarët ende nuk e kuptojnë se SPAK është një organ akuze. Pra një institucion që vëren,heton, zbulon dhe ngre akuza për persona të dyshimtë. Disa prej tyre SPAK me një bujë të madhe publicistike i ka arrestuar, duke i mbajtur në burg prej muajsh e vitesh, por që pas kësaj, ka një “lëvizje kërmilli” për të shkuar në gjykatë për të bërë drejtësi. Në Shqipëri nuk ka një kuptim të qartë mes akuzës dhe drejtësisë. Shqiptarët kujtojnë se “SPAK është shpëtimi” gjë që nuk është e vërtetë. SPAK është një pjesë e sistemit, i cili nëse dështon në akuzat e veta në gjykatë, nuk është gjë tjetër veçse një “vjeshtak”, siç përcaktonim dikur në shkollë studentët që nuk merrnin dot provimet herën e parë. A e ka mbetur “për vjeshtë” SPAK-u shqiptar?
Unë besoj se po. Jo vetëm gjithë trupa e prokurorëve ështe një “tufë vjeshtukësh”, por për më keq, ata përpëliten për lavdi duke mos e provuar atë. Lavdia e vërtetë e një organi akuze provohet në Gjykatë dhe vetëm aty e kurrë në “konferenca shtypi” apo debate televizive. Pse SPAK pas kaq kohësh, nuk ka mundur me sukses të dënojë në gjykatë ish-presidentin Ilir Meta? A nuk ka qënë kjo një pritshmëri e publikut? Deri tash ka një zhgënjim dhe “përpëlitje” të dështuara të SPAK. Llogaria mund të jetë fare e thjeshtë: Ja rroga, ja të ardhurat, ja pronat. A ka një ekuacion të barabartë? Si prodhohen kaq prona me një “rrogë shtetërore”?. SPAK ka dështuar në mënyrë spektakulare me një “Ekuacion të thjeshtë”…
Pse SPAK nuk arrati kurrë “të kopsiti” akuzat për vitin e tmerr 97-të? Pse nuk ka një akuzë të artikuluar për vrasjet e 21 janarit? Pse nuk dihet se çfarë ndodh me tragjedinë e Gërdecit?
SPAK më duket mua, mbase jam i gabuar, bredh pas “krimeve të reja” dhe injoron “krimet e kryera” gjë që sjell shumë pyetje: Kush e vendos dhe urdhëron axhendën e SPAK? A ka një vetëdije profesionale nga grupi i prokurorëve apo “dikush urdhëron”? Nëse SPAK nuk ka krijuar ende një “vetëdije profesionale”, apo “emergjencë kombëtare”, por pret “orjentim nga Amerika”, është dështimi më i madh shqiptar. Amerika nuk do të sjellë kurrë drejtësi në Shqipëri, nëse mungon vetëdija profesionale e vetë shqiptarëve që marrin “rroga amerikane”.
Mendoj se ështe koha që SPAK “të ulë kokën” dhe të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë jo “atavizëm” i saj. Unë e kuptoj qartë që shumë shqiptarë janë të acaruar nga “vjedhjet e mëdha”, por këto duhen provuar në gjykatë. Një prokuror që nuk di të përmbledhë akuzat e veta në 3-4 faqe, maksimumi, ai është një prokuror i dështuar. Nëse ke mijra faqe akuza, ato “Mbahen në xhep” dhe nuk lëshohen si “dhitë në mal” tek Parlamenti Shqiptar. Ky është gjithshka, por nuk ka asgjë të përbashkët me një hetim professional. Në Amerikë, akuzat që ju bënë Presidentit Tramp për “revoltën përmbysëse” të 6 janarit 2020, nuk janë më shumë se disa faqe në shpalljet publike.Kuptohet se prokurorët kanë më shumë prova, por ato janë për “përballje në gjykatë”, jo pazare mediatike siç ndodh në Tiranë.
Unë jetoj midis dy realiteteve: Amerikë-Shqipëri. Zëri im nuk ka peshë në Amerikë, sepse këtu ka një armatë profesionistësh që bërtasin përditë. Thjesht duke bërë krahasime, mendimi im vlon dhe pyes: pse nuk mësojmë nga e mira progressive? A nuk do ishte vërtet i nderuar në publikun shqiptar nëse SPAK do kishte çuar në gjyq Vitin 97-të, Gërdecin dhe 21 Janarin? Një SPAK vërtet profesionist do të kishte mbyllur “plaqët e vjetra” pastaj të merret me “hajdutët e sotëm” ose këta tua kishte lënë në dorë organeve të akuzës në shkallët më të ulëta. Vrapi shqiptar “pas SPAK” më kujton kohët kur thuhej se “Partia e di…”. SPAK është bërë një “Parti pa program” por kërcen si pleshti “plis më plis të nënës sime” siç ka humor populli shqiptar.
Populli do drejtësi. Jo arrestime “në pritje për t’u gjykuar”. Forca e SPAK nuk është thjesht “Pranga në duar”, por dosje e kopsitur dhe triumf në gjykatë. Nëse SPAK nuk ka guxim të nxitojë për në gjykatë ku duhet thënë “fjala e fundit”, ky instrument i drejtësisë së sotme do kujtohet si një “Byro e Paaftë”, ose si shokët e byrosë që kur dolën në publik ne pyesnim veten “Këta na paskan drejtuar?…”. Që kjo të mos ndodhë (Larg qoftë) SPAK duhet të provojë forcën e ligjit, profesionalizmit dhe triumfit faktik në gjykatë jo “Zhurmën e arrestimeve” në median shqiptare. Sepse në demokraci, çdo lloj arrestimi është dhe mbetet i dyshimtë, derisa gjykata jep verdiktin e vet.
SPAK dëshmo se je proefesional, dhe jo “vegël që luhet” qoftë edhe nga “aleatët”. Aleati juaj i vërtetë është ligji, kushtetuta, Atdheu.






