Drejtues (Ret) Skënder Doda
Historia e Policisë sonë në 113 vjetorin e krijimit mund të formulohet; Institucioni që i dha formë autoritetit shtetëror, më i sulmuari, i përgjakur nga krizat por i ringritur më shpejt nga të tjerët, me faturën më të lartë të jetëve të humbura, që rrallë ka pasur luksin të jetë profesional pa presionin politik dhe sulmet publike.
Nga 13 janari, në anarki, mbretëri, pushtime, diktaturë, tranzicion, policia është drejtuar nga 79 ministra e 45 drejtorë të Përgjithshëm, ka provuar ndryshime ligjesh, strukturash, uniformash, ndërtesa, armatimi e pajisjesh. Ka qenë institucioni që ka siguruar mbijetesën e rendit falë sakrificave të punonjësve të saj e që padrejtësisht ka mbajtur barrën e vendimeve politike, pa qenë autor i tyre.
– Publicitet –
Studjues, analistë, gazetarë, politikanë etj kur diskutojnë mbi politikat e sigurisë, faktorët, rolin dhe funksionimin e policisë, ndajnë pikëpamje e vlerësime sipas këndvështrimeve politike ose interesave. Njëra palë himnizon pala tjetër anatemon. Bashkohen vetëm në faktin se veprimtaria e Policisë ka pasur gjithnjë një çmim gjaku, sakrificash, përkushtimi të mijëra burrave dhe grave që kanë shërbyer në kushte të vështira.
Policia në vartësi të rrethanave historike ka pasur asistencën ndërkombëtare perëndimore, lindore e sërish perëndimore. Kanë ndikuar në kapacitetet njerëzore, logjistike; dhe ndryshimet ligjore, por jo në pozicionimin e qartë të marrëdhënieve të politikës me policinë, si dhe të kulturës policore.
Pra fizikisht ka rritje normale e detyruar të qëndrojë gjithnjë vijë të parë të luftës por me pjekuri institucionale disi të vonuar. Nuk është një fenomen i rastësishëm dhe as i lindur brenda natës. Shkaqet lidhen me fleksibilitetin e brendshëm social politik dhe faktorët ndërkombëtarë.
Policia vazhdimisht është ndodhur e ekspozuar përballë presionit të përditshëm politik e publik që kohët e fundit ka shënuar një ngritje të dukshme duke krijuar një perceptim jo shumë miqësor ndaj saj. Sulmet mediatike marrin forcë edhe nga deklaratat publike nga drejtues insitucionesh shtetërore në kuadër të hetimeve për çështje konkrete ku flitet për mungesë bashkëpunimi me struktura të policisë, apo përfshirjen e ndonjë drejtuesi të policisë në akte të rënda korrupsioni, lidhje me autorë krimesh, etj.
Në një shtet normal policia dhe prokuroria janë të detyruara me ligj të bashkëpunojnë secila brenda rolit të vet dhe jo ti tregojnë publikisht gishtin njëri tjetrit.
Në 113-vjetorin e Policisë së Shtetit është momenti për të folur qartë: krimi nuk përfaqëson gjithë policinë, ai nuk mund të shndërrohet në damkë dhe baltosje për një institucion të tërë. Politika mburret me rezultatet operacionale e sakrificat e policisë por duhet të mbajë përgjegjësinë për të gjitha fenomenet negative të konstatuara në këto dekada.
Policia si institucion nuk ka aftësi vetërregulluese në nivel strategjik pasi është politika ajo që i zgjeron ose i ngushton kapacitetin vetërregulles të Policisë.
Historikisht në polici (sikurse në Parlament, pushtet qendror e lokal) dhe ka pasur, ka edhe nuk do të mungojnë ata që nga frika apo interesa të ndyra shkelin betimin, bashkëpunojnë me krimin, tradhëtojnë kolegët dhe vartësit e ndershëm; shiten e blihen si mall në tregun e pistë duke ushqyer idenë e një policie tërësisht të komprometuar. Ky perceptim ndikon drejtpërdrejt në mungesën e besimit publik ndaj policisë riparimi i të cilit ka edhe kosto politike.
Korrupsioni nuk lind thjesht nga lakmia njerëzore, e krijon dhe neglizhenca institucionale, përmes disa sjelljeve në dukje të vogla të trashëguara nga e kaluara e që sot duken si një normalitet.
Ne falenderojmë BE dhe USA për asistencën teknike por tregojmë pak interes për të kuptuar se si politika në vendet e tyre e trajton problemin më delikat të një shteti modern; atë të marrëdhënieve politikë – polici të cilat nuk mund të jenë kurrë armiqësore dhe as të bëra njësh njëra me tjetrën. Ruajnë një distancë funksionale të kontrolluar nga ligji në shërbim të publikut i cili paguan taksat.
Në letër rolet janë të qarta: Politika harton ligjet mbi sigurinë publike, përcakton objektivat strategjike dhe monitoron plotësimin e tyre; Policia nuk mund të sillet si politika ajo zbaton ligjin në mënyrë profesionale, ruan autonominë operacionale dhe paanshmërinë partiake. Çdo devijim sjell pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë, besimin publik dhe demokracinë. Afërsia e tepruar deformon misionin e policisë, e njëson atë me politikën e ditës e cila ka natyrën e kompromisit më shumë se zbatimin e ligjit.
Politika herë fshehtas e herë dukshëm i imponohet policisë duke filluar nga lëvizjet e shpeshta, emërimeve të pamerituara të disa drejtuesve të cilët me aktet e tyre korruptive deformojnë imazhin dhe misionin e policisë të përcaktuar nga politika. Edhe “braktisja”e nxjerr zbuluar policinë përballë presionit të krimit.
Dikur kam shkruar se përgjatë tre dekadave nga turmat janë dëgjuar thirrjet “Policia është me ne”, ndërsa nga dikasteri blu “Rend brenda rendit” që mbetën thjesht në letër.
Edhe “Policia që duam” është dëshirë e panoterizuar si kontratë publike bashkëlidhur me faturën njerëzore, morale e financiare që nuk mund të anashkalohet.
“Policia që duam” lipset të jetë e ndershme, profesioniste, me personel të shkolluar e vlera qytetare, e pajisur, e trajnuar, e motivuar, që afrohet në sekondën e parë të telefonatës, që jep ndihmën si një mjek, të jetë psikolog, punonjës social, të ndërhyjë në konflikt e ta zgjidhë shpejt e me paanësi, të parandalojë dhunën në familje, bullizmin në shkolla e qendra prodhimi, të kontrollojë trafikun, luftën ndaj drogës, zhurmat në qendra të banuara, ndërtimet pa leje, të arrestojë autorët e veprave penale, të kërkuarit, mashtruesit, hajdutët, të nxjerrë viktimat nga uji apo gërmadhat etj. Kërkesa të natyrëshme këto. Edhe vendet që asistojnë vendin tonë nuk pretendojnë të kenë një polici kaq perfekte.
Por ata kanë disa standarde që ne nuk i kemi siguruar. Policia jonë është pajisur e trajnohet sipas standardeve perëndimore, por nuk trajtohet sipas modelit perëndimor. Synojmë profesionalizëm “gjerman”, por me mendësi alla “shqiptarçe” që i kërkon policisë pafundësisht sakrificë personale në emër të detyrës dhe patriotizmit.
Gjatë diskutimeve me homologë të huaj kur flitet për kulturën policore kujtoj “tahometrin” paisjen monitoruese të udhëtimit që imponon pushimin e shoferit. E detyron të pushojë që të kryejë udhëtimin jo më shpejt por më me siguri. Polici evropian është më i mbrojtur nga ligji dhe nga eprori, nuk e lejon “tahometri” të rraskapitet pa fund.
Tek ne “tahometri” është difektoz, nuk dikton pushimin, por i kujton policit se duhet të bindet, të zbatojë urdhërat e eprorit, sepse na qenka i privilegjuar nga një shtesë vakti ushqimi, shlyerje dietash, dhënie kredie të butë e cila për nga modalitetet nuk dihet se kujt i duhet dhe sa i vlen realisht.
Korrupsioni lind dhe nga, nga kërkesa për performancë pa mbulim financiar, nga pritshmëria që polici “ta rregullojë vetë”. Nëse duam një polici që të mos korruptohet, duhet të pranojmë se paga minimale prodhon tundime maksimale.
Mjafton një shembull; Policët që përdorin motorrët e makinat e shërbimit për shkak të imazhit publik janë të detyruar që makinën ta mbajnë sa më pastër në çdo kohë. Pyeteni policin ku e lan makinën e shërbimit, sa herë e lan, sa është çmimi dhe kush e paguan te lavazhi privat? Sa makina e motorrë disponon Policia? Mungojnë fondet për larje. Mbetet që policët të paguajnë nga xhepi i tyre ose të gjejnë një “zgjidhje” me pronarët e lavazheve. Fillimisht polici ndihet me turp e më pas përshtatet me këtë kulturë që në moshë të re, sapo ka filluar karrierën.
Po kështu policit i duhet që krahas kryerjes së. detyrës të “rregullojë vetë” mundësi për strehim kur transferohet larg qendrës së banimit, të kujdeset të sigurojë mbështetje për trajtim mjekësor në spitale private etj. Kjo sjellje i bëhet normë dhe kuptohen pasojat.
Nëse shtetit i mungon empatia për policët, në vend të fondeve gjen justifikime. Vite më parë nisi një fushatë e ashpër për bllokimin e makinave private të policëve pasi nuk ishin regjistruar e zhdoganuar. Ishin mjete të vjetra me të cilat policët vinin në punë, sidomos në raste urgjente. Ligjërisht mjetet duheshin bllokuar. Policët detyroheshin të vinin në punë me transport urban, në këmbë, të lodhur dhe të rraskapitur, për të garantuar rendin dhe sigurinë e të tjerëve.
U propozua që mjetet regjistroheshin dhe zhdoganimi bëhej me këste. Pra nuk kërkoheshin fonde nga buxheti dhe policët ishin të qetë. Paradoksalisht kërkesa nuk u vlerësua, u refuzua nga të dy ministritë e linjës sepse për ta problemi nuk ekzistonte, kishin makina të mira dhe as nuk i thërriste njeri në alarm.
Në këtë shkrim për ditën e Policisë së Shtetit i uroj politikanëve të analizojnë “me laps në dorë”, gjendjen, dhe sipas modeleve që na afrojnë partnerët tanë të gjejnë rrugët, mjetet më efikase dhe faturën reale e cila nuk është vetëm financiare për sigurinë publike pjesë e rëndësishme e së cilës është pastrimi i radhëve të policisë nga të paaftët, të korruptuarit e inkriminuarit.
Gëzuar festën Polici e Shtetit./Autori është President i IPA- Seksion Albania



