Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara ka nxjerrë një urdhër, që kufizon taktikat e kontrollit të njerëzve, që mund të përdorin agjentët e antimigracionit ndaj protestuesve paqësorë në Minneapolis. Vendimi u mor në mbrëmje, përpara protestave të planifikuara gjatë fundjavës kundër operacioneve të gjera të antimigracionit në qytet.
Gjykatësja Katherine Menendez vendosi se agjentët federalë nuk kanë të drejtë të arrestojnë apo të përdorin spraj piper dhe mjete të tjera jo-vdekjeprurëse kundër personave që po protestojnë në mënyrë paqësore dhe pa penguar punën e autoriteteve. Vendimi përfshin edhe qytetarët që monitorojnë ose vëzhgojnë nga afër veprimet e agjentëve të antimigracionit.
Ky urdhër gjyqësor vjen pas vrasjes së Renee Good më 7 janar, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i antimigracionit, një ngjarje që ka tronditur Minneapolisin dhe ka nxitur protesta të shumta në qytet. Që nga ajo kohë, situata e sigurisë ka qenë e tensionuar dhe janë raportuar disa përplasje mes protestuesve dhe forcave federale.
Në një vendim prej 83 faqesh, gjykata ndalon arrestimet dhe përdorimin e sprajit piper apo mjeteve të tjera për shpërndarjen e turmave ndaj personave që janë të angazhuar në protesta paqësore dhe jo-penguese. Urdhri gjithashtu kufizon ndalimin e automjeteve dhe pasagjerëve të tyre, përveç rasteve kur ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe i argumentuar se ata po ndërhyjnë me forcë në operacionet federale. Sipas gjykatëses, ndjekja e sigurt e agjentëve të antimigracionit nga një distancë e përshtatshme nuk përbën, në vetvete, arsye ligjore për ndalimin e një automjeti apo personi. Vendimi buron nga një padi e ngritur në dhjetor nga një grup protestuesish, të cilët pretenduan se të drejtat e tyre kushtetuese ishin shkelur.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare reagoi duke deklaruar se po merr masa për të mbrojtur oficerët dhe publikun nga individë të dhunshëm dhe se veprimet e agjentëve kanë qenë në përputhje me ligjin. Edhe Shtëpia e Bardhë e kritikoi vendimin, duke e quajtur atë të njëanshëm dhe politikisht të motivuar. Autoritetet e Minesotës u kanë bërë thirrje protestuesve që të qëndrojnë të qetë dhe paqësorë. Garda Kombëtare e shtetit është vendosur në gatishmëri dhe forca të tjera të rendit janë dislokuar përpara protestave të pritshme, si dhe një marshimi kundër-protestues të paralajmëruar nga një influencues konservator. Garda Kombëtare njoftoi se trupat e saj do të mbajnë jelekë të verdhë me dukshmëri të lartë për t’u dalluar nga agjencitë e tjera.
Situata u ndërlikua edhe më tej, pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi se po heton Guvernatorin e Minesotës, Tim Walz dhe Kryetarin e Bashkisë së Minneapolisit, Jacob Frey, për pretendime se kanë penguar operacionet e agjentëve të antimigracionit. Të dy zyrtarët e kanë kritikuar hetimin, duke e cilësuar atë si një përdorim politik të sistemit të drejtësisë. Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa vendimi i gjykatës shihet si një precedent i rëndësishëm në debatin mbi të drejtat e protestuesve dhe kufijtë e veprimeve të autoriteteve federale.






