Nëse ka një gjë interesante për t’u ndjekur me kureshtje në gjyqin e Erion Veliaj, nuk janë provat, as akuzat, por rekordet e një sjelljeje qesharake të gjykatës, e cila pas çdo seance vendos nga një rekord të ri. Sot, në këtë proces, u vendos një tjetër rekord, këtë herë në nivelin e humorit absurd.
Prej seancash me radhë, Veliaj ka kërkuar një gjë elementare: të njihet personalisht me dosjen e hetimit ndaj tij. Jo për kapriço. Jo për teatër. Por sepse çdo njeri ka të drejtë të dijë se për çfarë duhet të mbrohet. Si mund të mbrohesh ndaj të panjohurës?
Përgjigjja e drejtësisë ka qenë monotone dhe mekanike: “Dosjen e ka marrë avokati.”
Pra, ty të refuzohet e drejta për t’u njohur me akuzën që rëndon mbi ty.
Në një moment grotesk, i pandehuri arrin në përfundimin absurd se mënyra e vetme për të parë dosjen është të heqë dorë nga avokati dhe të mbrohet vetë. Avokati, i vendosur në një pozitë të pamundur, pa të drejtë konsultimi real me klientin që nuk e njeh çështjen, jep dorëheqjen. Gjykata cakton avokat kryesisht. Problemi, teorikisht, zgjidhet.
Por në vendosjen e rekordeve qesharake, drejtësia shqiptare nuk zhgënjen kurrë.
Sot, avokatja e caktuar nga vetë gjykata, jo nga Veliaj, kërkon kohë për t’u njohur me një dosje prej 60 mijë faqesh, në mënyrë që të mund të kryejë detyrën e saj. Kërkesa refuzohet. Kërkon të takohet me klientin e saj. Refuzohet sërish. Këmbëngul. I kujton gjykatës se ka qenë gjithmonë në dispozicion të saj, në çdo orar, në çdo kërkesë dhe në çdo tekë proceduriale, dhe se po vihet realisht në pamundësi për të ushtruar profesionin.
Pas tre minutash, jo tre ditësh, jo tre seancash, gjykata “pendohet” dhe revokon vendimin e vet. Jep dy javë kohë për njohjen me dosjen dhe për takimin me klientin.
Për dy javë, një avokate e moshuar, e caktuar nga shteti, duhet të lexojë 60 mijë faqe, t’i studiojë, t’i analizojë, të përgatisë mbrojtjen, të planifikojë marrjen e provave, t’ia shpjegojë dosjen klientit dhe të bjerë dakord me të për strategjinë e mbrojtjes. Jo një avokat, por për një proces të tillë do të nevojitej një studio ligjore me dhjetëra avokatë dhe edhe atëherë koha do të ishte e pamjaftueshme.
Tre minuta që treguan qartë se problemi nuk ishte ligji. As e drejta. As dosja. As afatet. Problemi ishte thjesht vullneti i gjyqtares, e cila merr një vendim dhe pas tre minutash merr një vendim të kundërt.
E gjithë kjo histori nuk është as tragjike dhe as dramatike. Është thjesht qesharake. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi: kur drejtësia bëhet qesharake, askush nuk e beson më. Në këtë proces nuk po konsumohet vetëm fati i një individi, por fati i një qyteti, e bashkë me të serioziteti i një shteti dhe i drejtësisë së tij. Një sallë gjyqi ku vendimet ndryshojnë brenda minutash nuk është më zëri i Republikës, por skena e improvizimit të një komedie shtetërore.




