Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave. Rama e ka cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, duke theksuar se seanca po zhvillohet pa transmetim të drejtpërdrejtë për arsye teknike.
Sipas Ramës, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që shumica qeverisëse i ka dhënë pushtetit gjyqësor në kuadër të Reformës në Drejtësi. Ai akuzon shoqatat e gjyqtarëve se po kërkojnë të thyejnë piramidën shtetërore të pagave, duke tentuar të sigurojnë me vendim gjykate të drejtën për rritje automatike të pagave sa herë rriten pagat e kategorive të tjera.
“Kjo do ta kthente Shqipërinë në të vetmin vend në botë ku gjyqtarët paguhen më shumë se kushdo tjetër, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave,” është shprehur Rama, duke e cilësuar situatën si një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues.
Kryeministri u shpreh se shpreson që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë këtë precedent, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të përbënte një “turp kombëtar”.






