Kanadaja ka bërë të qartë se nuk do të paguajë një miliard dollarë amerikanë për t’u bashkuar me Bordin e Paqes të Shteteve të Bashkuara. Ministri i Financave, Francois-Philippe Champagne, tha se vendimi është marrë, edhe pse kuadri i këtij bordi nuk është ende i përfunduar.
Nga Davosi, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, ai theksoi se Kanadaja nuk do të pranojë asnjë pagesë për anëtarësim. Kjo deklaratë shënon një tërheqje nga pranimi paraprak i ftesës nga kryeministri Mark Carney.
Megjithatë, Otava nuk e përjashton mundësinë e bashkimit, nëse tarifa hiqet plotësisht. Sipas Champagne, ende nuk janë sqaruar rregullat dhe mënyra e funksionimit të bordit, ndërsa vendimi final do t’i takojë kryeministrit. Mark Carney tha se fondet duhet të shkojnë për mbështetjen e popullsisë në Rripin e Gazës dhe të kenë ndikim real.
Ai shtoi se ndihma humanitare ende nuk po shpërndahet pa pengesa në shkallë të gjerë. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar rreth 60 liderë botërorë për t’iu bashkuar kësaj nisme. Dokumentet shoqëruese tregojnë se Bordi i Paqes nuk kufizohet vetëm në Gaza dhe parashikon një mandat të pacaktuar.
Kjo ka ngritur shqetësime se struktura mund të kthehet në një organizëm paralel ndërkombëtar. Disa vende druhen se pranimi i ftesës mund të dobësojë rolin e OKB-së, ndërsa refuzimi mund të sjellë tensione me Uashingtonin.





