Deputetët shqiptarë miratuan të enjten një vendim të qeverisë për t’iu bashkuar nismës Bordi i Paqes, të lançuar nga presidenti amerikan Donald Trump me synimin për të zgjidhur konfliktet globale”.
Kështu e nis shkrimin e saj media ndërkombëtare Reuters, e cila ka pasqyruar vendimin e Kuvendit për të miratuar aderimin në Bord.
“Projektligji u miratua me mbështetjen e 110 nga 140 deputetë, ndërsa Rama argumentoi se anëtarësimi në këtë nismë siguron që Shqipëria të mbetet “në tryezë” në diplomacinë globale, duke iu referuar një deklarate të kryeministrit kanadez Mark Carney në Davos”, shkruan Reuters.
Ajo ndalet edhe te Kosova, duke e konsideruar një aleate të ngushtë e Shteteve të Bashkuara, pas mbështetjes për shpalljen e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.
“Gjithashtu i është bashkuar Bordit të Paqes”, shkruan Reuters.
Media ndërkombëtare ndalet edhe te qeveria në largim e Bullgarisë e cila ka aderuar në Kartën e Bordit të Paqes.
“Një vendim që pritet të ratifikohet nga parlamenti javën e ardhshme. Diplomati Nikolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së, është zgjedhur si Përfaqësues i Lartë për Gazën në kuadër të bordit”, njoftoi Reuters.
Bullgaria dhe Hungaria janë deri tani të vetmet vende anëtare të Bashkimit Evropian që i janë bashkuar Bordit të Paqes.






