Mero Baze
Për katër vite, Sali Berisha ka arritur në politikën shqiptare atë që asnjë udhëheqës tjetër nuk ka guxuar as ta bëjë dhe as ta ketë si rezultat. Ai është sanksionuar nga SHBA dhe i është kundërvënë SHBA-së me gjithë forcën, pa asnjë kompleks. E fshehu ca kohë pas Lulzim Bashës, duke bërë sikur e kishte hallin me të, pasi ai e kishte shpallur “non grata”, por pasi e zboi atë, mbeti përballë SHBA-së dhe e vazhdoi betejën.
E vërteta është se SHBA nuk ia hoqi sanksionet dhe ndoshta nuk ia heq kurrë, por ai realisht i zhbëri ato në sytë e demokratëve dhe mbështetësve të tij.
Është i pari udhëheqës politik në Shqipëri që një sulm kaq të rëndë nga SHBA jo vetëm e përballoi, por e shndërroi në lëvizje politike dhe fitoi.
Fitoi mbi sistemin tonë gjyqësor, duke marrë në mënyrë të dyshimtë kredencialet e partisë; fitoi mbi sistemin e drejtësisë, që nuk guxonte ta prekte as “non grata”; dhe mbi të gjitha fitoi në sytë e mbështetësve të vet, të cilët 100 për qind e kanë zhbërë “non gratën” e SHBA-së nga mendja e tyre dhe ia quajnë dekoratë.
Kjo është një fitore e paimagjinueshme për ndonjë udhëheqës tjetër politik në vend. Këtu ai i ka mundur të gjithë, edhe Edi Ramën, pasi ka dëshmuar se elektorati i djathtë shqiptar nuk është, siç pretendohet, demos pro-amerikan. Në rastin e parë që iu dha, e djathta shqiptare mbështeti një antiamerikan pa asnjë kompleks, duke u justifikuar me gënjeshtra të shpikura: “e ka bërë Sorosi”, “e ka bërë Lul Basha”, “e ka bërë McGonigal”, “e ka bërë Edi Rama”, etj.
Të gjithë e dinin që gënjenin veten, por mbështetjen për Berishën e dhanë deri në fund. Madje edhe ata që konsideroheshin korierë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë nga selia e PD-së, në fund, mes SHBA-së dhe Berishës, zgjodhën Berishën dhe u bënë deputetë të tij.
Kjo është fitorja më mbresëlënëse politike e Berishës në karrierën e tij dhe ndoshta nga të paktat fitore të tilla politike në gjithë ish-Lindjen komuniste.
Fiks ashtu siç e bëri vetë, me aq mundim, atë fitore; fiks ashtu siç e ndërtoi fitoren me kauza të gënjeshtra për të maskuar betejën e tij me SHBA-në; fiks ashtu e zhbëri për gjashtë muaj.
Qysh nga zgjedhjet e 11 majit, kur iu desh të paguanin 6 milionë dollarë për të hequr sanksionet “non grata” për Berishën dhe familjen e tij, ata, në vend të rezultatit që ende nuk e kanë arritur, u servirën demokratëve dokrra rreth “blerjes së SHBA-së” prej tyre dhe ndryshimit të pushtetit përmes SHBA-së.
Pra, njeriu që e përballoi i vetëm SHBA-në, që i dha identitet betejës së tij me SHBA-në duke marrë zvarrë gjithë të djathtën shqiptare antikomuniste kundër SHBA-së, e dorëzoi fitoren e tij duke paguar para që ta zhbëjë.
Të gjorët demokratë, që kishin katër vjet që shanin nga mëngjesi në darkë SHBA-në që kishte sanksionuar udhëheqësin e tyre, fshinë postimet e vjetra dhe u bënë të gjithë proamerikanë.
Beteja e javës së fundit ishte edhe më frustruese për ta. Ftesa që Edi Rama të përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes i konfuzoi dhe iu desh të shpiknin përditë nga dy gënjeshtra, me shpresë se do ta mbanin në këmbë narrativën e tyre gjashtëmujore.
Opozita u përball sot me gjithë gënjeshtrat e saj të gjashtë muajve të fundit dhe, e autosugjestionuar nga shpikja e një beteje të SHBA-së me Edi Ramën, zhbëri gjithë identitetin politik të Berishës për katër vitet e fundit, duke ia hequr atij të vetmen vlerë politike që prodhoi: vënien e personalitetit të tij mbi atë të SHBA-së.
Dhe ndodhi ajo që pamë në Parlament. Edi Rama u tall me nge në një seancë e cila duhej të ishte solemne, dhe ata votuan të gjithë në rresht emrin e tij për ta përfaqësuar në Uashington, nga i njëjti kompleks që i ka mbajtur gjallë gjashtë muajt e fundit: ideja se ata kanë “blerë” SHBA-në dhe ajo do ta heqë nga pushteti.
Tani, jo se do fitonte ndonjë gjë të madhe po të mos e votonte, por së paku do mbetej vetvetja. Tani është thjesht një pagator që, me lekët e vjedhura, kërkon të pranohet nga “armiku”, të cilin e mundi pa lek për katër vite.
Kështu ndodh kur gënjen të tjerët për çdo gjë dhe, në fund, gënjen edhe veten.





