Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi të detajuar, përmes së cilës vihet në diskutim ligjshmëria e dekretit presidencial të vitit 2008 për emërimin e Ols Dado në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.
Padia është ngritur kundër Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe vetë prokurorit Ols Dado, ndërsa si person i tretë në proces është përfshirë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në qendër të saj qëndron pretendimi se Dekreti nr. 5936, datë 17.11.2008, është nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin në fuqi në atë kohë dhe për këtë arsye përbën një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm.
Sipas argumentimit të paraqitur në padi, ligji nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” parashikonte si kriter thelbësor për emërimin në detyrën e prokurorit përfundimin e Shkollës së Magjistraturës, duke lejuar përjashtime vetëm në raste të kufizuara dhe të përcaktuara shprehimisht. Veliaj dhe Bashkia e Tiranës pretendojnë se Ols Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe se nuk plotësonte asnjë nga kriteret përjashtimore të ligjit, si ushtrimi i mëparshëm i funksionit të gjyqtarit apo prokurorit, përvoja akademike në fushën e drejtësisë apo shërbimi në funksione juridike në institucionet e larta shtetërore. Para emërimit, sipas padisë, Dado ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk përfshihej në asnjë nga kategoritë ligjore që lejonin emërimin pa magjistraturë.
Në këto kushte, paditësit argumentojnë se Presidenti i Republikës ka ushtruar kompetencën e tij emëruese në tejkalim të hapur të kufijve ligjorë, duke emëruar një subjekt që nuk ishte ligjërisht i emërueshëm. Për këtë arsye, dekreti konsiderohet “nul ab initio”, pra juridikisht i paqenë që në momentin e nxjerrjes së tij, dhe i paaftë për të prodhuar pasoja të vlefshme juridike.
Në padi theksohet gjithashtu se, mbi bazën e këtij dekreti të pretenduar të paligjshëm, Ols Dado ka ushtruar kompetenca penale në disa procedime, përfshirë edhe veprime që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi Erion Veliajn. Sipas paditësve, këto veprime kanë cenuar lirinë personale, të drejtat kushtetuese dhe ushtrimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke prodhuar njëkohësisht pasoja të rënda institucionale për funksionimin normal të pushtetit vendor dhe për garantimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve të kryeqytetit.
Një pjesë e rëndësishme e argumentimit juridik lidhet me faktin se procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ka pasur kompetencë të shqyrtojë ligjshmërinë e akteve të emërimit. Sipas padisë, vettingu kufizohet vetëm në kontrollin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale dhe nuk mund të legalizojë apo “shërojë” një dekret emërimi të nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, çështja e vlefshmërisë së dekretit presidencial, sipas Veliajt, i përket ekskluzivisht juridiksionit të gjykatave administrative.
Në përfundim, përmes kësaj kërkesë-padie, Erion Veliaj i kërkon Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të konstatojë se dekreti i vitit 2008 për emërimin e Ols Dados është absolutisht i pavlefshëm, të njohë se ky akt nuk ka prodhuar dhe nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme, si dhe të detyrojë institucionet përkatëse, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të marrin masat e nevojshme për përfundimin e statusit të magjistratit dhe ndërprerjen e ushtrimit të funksionit prej tij./TemA




