Nga Preç ZOGAJ
Vrasjet u bënë pak pas orës 16.00 kur demostrata po shpërndahej dhe para kryeministrisë në bulevard mund të hidhje valle. Tre demostrues u vranë njëri pas tjetrit në ato sekonda fatalë: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. I katërti, Aleks Nika, do të ndërronte jetë pas dy javësh në një spital të Stambollit.
Vrasja e Ziverit u filmua live nga kamerat e televizionit News 24. Gardisti vrasës eci dy – tre hapa duke qëlluar sikur po i bënte nxemje automatikut, pastaj u pozicionua në një si gropë para një parvazi të bodrumit të kryeministrisë. Prej atje u pa të pushkatonte gjirokastritin me pallto treçerekëshe, që ishte ndalur në bulevard, me duart në xhepa, disa metra para derës së rrethimit të jashtëm të kryeministrisë dhe po vështronte si i habitur ndërtesën. Hekuran Deda, dibrani, qe vrarë sakaq disa metra me tutje. Plumbi e kishte goditur në kokë në podiumin e televizionit ABC. Në anën tjetër të bulevardit, arma e komandantit të gardës, Andrea Prendi kishte rrëzuar përtokë Faik Myrtajn, një pesëdhjetë e shtatë vjeçar nga Fieri. Aleks Nika, tridhjetë e gjashtë vjeçari nga Lezha, kishte rënë pak më tutje. Faiku ishte qëlluar në gjoks, Aleksi në kokë.
Historinë e masakrës si krim shtetëror e “shkruan” atë çast kufomat e tyre në vendin ku ranë: në bulevard, jashtë rrethimit të jashtëm të kryeministrisë.
Hetimi i mbështetur në ekspertizën e FBI-së amerikane dhe në provat e tjera të mbedhura në vendin e ngjarjes zbuloi më vonë se Prendi, Llupo dhe pjestarë të tjerë të njësisë speciale qëlluan ulët mbi dyzet herë dhe ishte një mrekulli që nuk ishin vrarë më shumë njerëz. Trembëdhjetë shenja plumbash u gjetën në derën metalike të hyrjes kryesore të kryeministrisë dhe po aq në kangjellat e pjesës veriperendimore të rrethimit të saj. FBI do të zbulonte gjithashtu se komandanti i Gardës kishte ndërruar tytën e pistoletës prej nga kishin dalë plumbat vrasës.
Dihet tani se operacioni për të nxirë vrasjet që kishin lindur të zbardhura sapo kishte filluar për të vijuar për vite e vite.
Dihet se gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me mediat, shefi i urgjencës në spitalin ushtarak, S. Koçeku, duke përshkruar plagët e të vrarëve, tha se armët që i kishin shkaktuar “duhet të jenë armë të një fuqie të vogël. Do thotë se janë qëlluar nga afër me pistoleta të vogla”
Dihet se pak minuta më vonë Sali Berisha doli para kamerave dhe tha: Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur me armë të lehta. Madje thuhet, por do të shohim, se janë me silenciatorë. Këto janë të dhënat e deritanishme që akuzojnë direkt skenaristët…”. U kuptua kujt ia kishte hedhur topin shefi i urgjencës.
Dihet se gazetari Artan Hoxha transmetoi që atë natë filmimet nga vendi i ngjarjes ku rrezultonte qartazi se vrasjet i kishte bërë Garda.
Dihet se, sipas ekspertizës së FBI-së, gjjatë natës së 21 janarit duke gdhirë njëzet e dyshi, njerëz të kupolës kryeministrore ose Gardës, ende pa emër si të kenë qenë alienë, fshinë nga serveri qendror i Kryeministrisë pamjet e filmuara nga dymbëdhjetë kamerat e saj të jashtme e të brendshme gjatë kohës së demonstratës.
Dihet se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nxori një urdhër ndalimi për gjashtë oficerë të Gardës së Republikës.
Dihet se me një kundërurdhër verbal të kryeministrit Sali Berisha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj, refuzoi ekzekutimin e urdhrave të kryeprokurores me pretekstin se kishin lapsuse në të shkruar.
Dihet se pas furtunës që ngriti trupi diplomatik për ketë paligjshmëri flagrante në shtetin e së drejtës, Kryeministri Berisha e mori vetë përsipër autorësinë e aktit pa precedent.
Dihet se refuzimi i urdhërit të Prokurores së Përgjithshme u dha kohë përgjegjësve për vrasjet dhe vetë vrasësve të prishnin provat dhe të rregullojnë alibitë.
Dihet se Hetimet e Prokurorisë, Policisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe të komisionit hetimor parlamentar që ngriti Berisha për të hetuar ngjarjet e 21 janarit nuk zbuluan shenjën më të vogël të ndonjë plani apo veprimi të protestuesve kundër jetës së Kryeministrit.
Dihet se kryeministri Sali Berisha ndërmori menjëherë një fushatë frenetike trillimesh për t’i mbivendosur krimit shtetëror fantazmagorinë e tij të armatosjes së protestuesve me lloj lloj armësh. Sinteza e “denoncimeve“ të tij të përditshme qe ajo e datës 28 janar në një konferencë shtypi ku deklaroi: “Disponohen të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve, më të cilët do të organizohej sulmi final për të hyrë në ndërtesë. Disponohen të dhëna të plota mbi armët e sofistikuara, mbi çadrat – pistoleta, stilolapsat-pistoleta, thikat me helm që do të përdoreshin në stade të caktuara të këtij grushti shteti. Disponohen të dhëna se grupe të caktuara, gjer në dhjetë grupe pesëshe, u stërviten ditë të tëra në zona të ndryshme”. Të gjithë këto “zbulime” të përditësuara do t’i sistemonte për t’i paraqitur në një formë të përmbledhur në “dëshminë” finale që do të jepte më 31 janar para komisionit hetimor parlamentar të ngritur prej tij me deputetë të partisë së tij. “Të jeni të sigurt, se përveç atyre ka dokumente të shumta, të cilat Kryeministri i vendit do t’i dorëzojë të gjitha në këtë komision, por edhe në institucionet përkatëse”, tha ai.
Anëtarët e komisionit e dëgjuan në heshtje, duke mbajtur herë pas here shënime.
Por zakonin e pat prishur deputeti Dashamir Sulaj, jurist në profesion. “Kur mendoni, zoti Kryeministër t’ia vini në dispozicion këtij komisioni faktet dhe provat tuaja për akuzat që bëtë”? pyeti ai. Berisha u befasua, pastaj nënqeshi kot: Shiko, tha. Është detyra e këtij komisioni të nderuar t’i mbledhë një për një provat e shumta e të pakundërshtueshme …
Berisha nuk kishte prova. Ky ishte zbulimi i parë dhe i fundit i komisionit hetimor.
Dihet se shumë demonstrues qenë keqtrajtuan e rrahur nga policia, duke u kërkuar të pranonin se kishin marrë para dhe detyra sulmi nga opozita. Asnjë dëshmi e tillë nuk u dha, asnjë armë nuk e gjet, asnjë çadër pistoletë, asnjë thikë me helm, asgjë.
Kaluan shumë vite. Dihet se drejtësia e varur dështoi të bentë drejtësi.
Dihet se me 14 nëntor 2023 Gjykata e Strasburgut konkludoi se konstatohen shkelje të së drejtës për jetën duke e cilësuar 21 janarin krim shtetëror që duhet hetuar plotësisht.
Dihet se me 14 mars 2024 Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK të merrte në dorë çështjen.
Dihet se me 14 korrik 2024 SPAK regjistroi procedimin penal për tre vepra penale: Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim detyre, pengim i zbulimit të së vertetës.
Koha ecën ngadalë në jetën tjetër. Pas pesëmbëdhjetë vitesh verdiktin e masakrës vazhdojnë “ta shkruajnë e bërtasin” ata që u vranë.
Mund t’i përfytyrojmë si holograma të trupave të tyre aty ky ranë. Prej nga s’rreshtin të përsërisin se “faji” i tyre i vetëm ishte pjesmarrja në një protestë antiqeveritare, se nuk kishte asnjë arsye as në qiell as në tokë të vriteshin, se nuk mund të ketë asnjë gardist a ushtarak që çmendet të qëllojë për qejf të gishtit, në kundërshtim me çdo ligj dhe rregullore, në mish njerëzor. Morën urdhër. Ai që nxori urdhërin dhe ata që e zbatuan vranë kriminalisht. Me paramendimin e përmbushjes së një perbetimi. Me prapamendimin e frikësimit të opozitës dhe popullit.
Italianët përdorin një shprehje për të treguar maskimet, mashtrimet, fshehjet e llojllojshme: “Truku është, por nuk shihet”. Në inversin e vet për vrasjet e 21 janarit kjo shprehje na thotë: “Truku shihet, por nuk është”, të paqenë e ka bërë deri sot drejtësia. Ndërkohe që “misteri” është tepër i qartë./mapo.al






