Një deklaratë e ish-deputetes greke Niki Tzavela në platformën X ka shkaktuar jehonë së pari në mediat greke e pastaj në disa portale shqiptare, të cilat e kanë paraqitur si “zbulim bombë” të aspekteve lidhur me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Tzavela pretendoi se Rama kishte ndjekur studime në Harvard falë një burse të financuar nga Fondacioni Kokkalis dhe se përzgjedhja e tij kishte lidhje me origjinën e supozuar greke nga ana e nënës. Ajo e lidh këtë çështje me retorikën e Ramës, të mbajtur së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilën ajo e cilëson si anti-greke.
Këto pretendime u përgënjeshtruan publikisht nga Petros Kokkalis, ish-eurodeputet i SYRIZA-s dhe përfaqësues i familjes themeluese të fondacionit, i cili sqaroi se Edi Rama nuk ka aplikuar dhe nuk ka qenë kurrë bursist i Programit Kokkalis. Sipas tij, Rama ka marrë pjesë në aktivitete akademike në Harvard vetëm në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, një praktikë e zakonshme për drejtues të rajonit.
“Znj. Niki Tzavela, mund të mos e mbani mend saktë, por Edi Rama nuk kishte aplikuar kurrë për Programin Kokkalis. Megjithatë, ai na nderoi, si shumë udhëheqës në Evropën Juglindore, duke marrë pjesë si Kryetar Bashkie në fjalimet që organizuam në Harvard.”
Kujtojmë se e njëjta ish-deputete greke u bë objekt kritikash pak kohë më parë, pasi shpalli gabimisht si të vdekur ish-ministrin shqiptar Arben Malaj, i cili së bashku me një deputet tjetër të Partisë Demokratike kishte përfituar bursë studimore nga ky fondacion./TemA






