Prej mbrëmjes së djeshme, Kryeministri i vendit, Edi Rama, është përfshirë në një ‘debat’ virtual lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve, gjë që çoi fillimisht në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve, pastaj dhe asaj të Prokurorëve, të cilët njëzëri janë ndjerë të intimiduar nga gjuha e kryeministrit, duke e quajtur atë si presion ndaj sistemit të drejtësisë, gjë që nuk i shërben shtetit të së drejtës.
Se kush ka të drejtë prej palëve, është gjë tjetër, dhe nuk është objekt i këtij shënimi, por që kryesisht Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar edhe më herët ndaj Edi Ramës dhe ‘shqetësimeve’ të tij, ky është fakt.
Mirëpo, nga ana tjetër, nuk kemi asnjë reagim të po së njëjtës shoqata gjyqtarësh ndaj gjuhës së përdorur ndaj gjyqtarëve në mënyrë nominale nga Sali Berisha.
Për shembull, nuk kemi asnjë reagim kur ai sulmon gjyqtaren që ka dhënë masën e arrestit ndaj tij, Irena Gjoka, duke e mveshur me epitete nga më të çuditshmet dhe nga më të dënueshmet
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjuhën e përdorur ndaj Kreut të SPAK, Altin Dumanit, të cilin jo vetëm e ka bërë pjesë të luftës politike, por e ka vënë edh enë shërbim të bandave, duke e etiketuar si Altin Troplini. Pse nuk ka një reagim nga Shoqata e Prokurorëve për këtë çështje.
Dhe meqenëse jemi te kjo pjesë, ndërsa ishim duke shkruar këto radhë, nga Zyra e Medias dhe e Komunikimit në PD u shpërnda një deklaratë e kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili e quan Gjykatën Kushtetuese strofull të fundit të hajdutëve, duke zbatuar në mënyrë kriminale urdhrat e Edi Ramës.
“Ajo gjykatë dëshmoi se para ligjit, para interesit të një populli të tërë, para interesit të qindra mijëra fëmijëve shqiptarë, që sipas të gjitha statistikave nuk ushqehen dot si duhet, para interesit të miliona shqiptarëve që braktisin vendin e tyre sepse u shkatërrohen vendet e punës, para interesit të mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre sepse u vidhen paratë e ilaçeve nga zyrtarët që këta mbrojnë, por edhe para dinjitetit të vendit, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit.” – vijon më tej Berisha.
“Me ambiguitetin e tyre tregojnë se sa të pakarakter dhe të pafytyrë janë. Se çfarë turp njerëzish përfaqësojnë. Është tjetër kur ti haptas merr anë dhe i del përpara të të shohin fytyrën. Kurse këta të pafytyrë marrin peng institucionin kryesor të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. Tjetri ngrihet si mi, një degjeneratë njerëzor si ai, nuk ka tjetër, dhe ikën nga takimi.Po ka turpe të tilla më të mëdha, sepse i nxirret dosja e Oltion Bistrit.” – përfundon Berisha deklaratën e tij.
A do të reagojë Shoqata e Gjyqtarëve dhe e Prokurorëve ndaj kësaj gjuhe të drejtuesit të opozitës kur këta shantazhe dhe kërcënime publike janë në shkallën e veprës penale?/Tema






