Prokuroria e Posaçme duket se ka intensifikuar hetimet pasurore që po bëhen ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Një detaj të tillë e konfirmon edhe vetë Sali Berisha, i cili gjatë konferencës për mediat pranoi se prokurorët e posaçëm po kryejnë veprime mbi këtë hetim pasuror që ka nisur ndaj Nokës që prej majit 2024.
Sali Berisha konfirmoi se prokurorët e posaçëm kanë zbarkuar në një kompani që shet makina dhe kanë kërkuar dokumentacionin për blerjen e Range Roverit luksoz me të cilin lëviz Flamur Noka. Duke konfirmuar kështu që Nokës iu kontrollua edhe mjeti me të cilin lëviz, ndërsa shtoi se mjeti iu dha nga Lulzim Basha.
“Nuk e di a e morët vesh apo jo, për një kompani të quajtur ‘Mektrin’, është kontrolluar para pak ditësh dy herë. Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj.
Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha. Se është skenë e bukur. Sapo punonjësi i tha që, o zotëri ai nuk ardhur kurrë për të blerë veturë. I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke. As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën. Por kjo është ngjarje reale, taze. Ja tha ku e ke firmën, e ka blerë Lul Basha këtë veturë, merre dosjen. Jo i tha, nuk më duhet për Lulin”, tha Berisha në konferencë për mediat.






