Partia Socialiste paralajmëroi më herët ndërhyrje në legjislacion me qëllim qartësimin e ndarjes së kompetencave dhe garantimin që funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen me vendim gjykate, pas situatës së krijuar nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e cili nuk arriti të krijonte një shumicë lidhur me një interpretim detyrues.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, gjatë një interviste në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese la të pazgjidhur konfliktin kushtetues dhe atë të kompetencave dhe në mungesë të një interpretimi përfundimtar, shtoi ministri, Kuvendi ka detyrimin të ndërhyjë si ligjvënës, për të sqaruar se funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen dhe se kjo nuk lidhet me emra konkretë.
“Ne e lexojmë atë vendim ashtu siç ka shkruar Gjykata Kushtetuese, duke mos arritur një shumicë që kërkon një interpretim detyrues, i cili duhet të jepet, dhe në këtë rast nuk e kemi një të tillë. Të dyja palët e njohin problemin, pra që kemi një konflikt kushtetues dhe konflikt kompetencash, por për shkak se nuk arrihet sot shumica që nevojitet, nuk i jepet zgjidhje këtij konflikti dhe na kthejnë në pikën e fillimit, duke kthyer në fuqi masën e pezullimit të GJKKO-së. Ne si mazhorancë e lexojmë se funksionet nuk mund të pezullohen dhe kjo nuk ka të bëjë me emrin e personit. Do të marrim hapa konkretë që i takojnë shumicës dhe Kuvendit, i cili duhet të bëjë ligjet, dhe këtë do ta bëjmë pasi të lexojmë vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese. Duhet bërë qartësi se si ndahen funksionet dhe se funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen. Pra, nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, por duhen marrë masat e duhura që ligji të jetë i qartë,” u shpreh Gogu.
Ai theksoi se ndërhyrja ligjore konsiderohet e domosdoshme dhe se do të bëhet pasi të analizohet vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese dhe pasi ekspertët ligjorë në Komisionin e Ligjeve të propozojnë zgjidhjet përkatëse.
“Pasi të lexojmë vendimin e arsyetuar dhe ekspertët ligjorë në Komisionin e Ligjeve të dalin me zgjidhjet e duhura, do të veprojmë. Kjo do të thotë se jemi ende herët, por në pamundësi të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, do të duhet të ndërhyjmë në ligj për të bërë qartësimin e nevojshëm. PS do të vazhdojë që reforma në drejtësi të jetë e paprekshme në arkitekturën e saj”, tha Gogu.
Gogu sqaroi se PS nuk synon përplasje me sistemin e drejtësisë, por ka si qëllim forcimin e qartësisë ligjore dhe ruajtjen e arkitekturës së reformës në drejtësi.
“Ky ishte thelbi edhe i mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. Nuk kemi plan për t’u përplasur. PS mbetet autorja dhe garantuesja e reformës në drejtësi dhe e sundimit të ligjit në vend. Prokurori ka qenë gjithmonë i lirë për të vijuar hetimin dhe, siç ka kërkuar masën e tij që është pezullimi. Ndërsa për konfliktin e kompetencave, Kuvendi si ligjvënës duhet të ndërhyjë për të qartësuar se funksionet kushtetuese nuk mund të pezullohen”, deklaroi Ministri.
Lidhur me mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ministri Toni Gogu sqaroi se kjo nuk është më e nevojshme për aq kohë sa në fuqi mbeti masa e parë e prokurorisë ajo e pezullimit të funksioneve.
“Për Këshillin e Mandateve nuk ka arsye, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të kthejë në fuqi pezullimin dhe kërkesa për arrestim erdhi pasi u hoq pezullimi. Në fillim ndodhi pezullimi, qeveria tha se kjo nuk mund të bëhej sepse është kompetencë e saj, dhe Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së deri në shqyrtimin e saj. Mosmarrja e një vendimi nga Kushtetuesja do të thotë se tashmë pezullimi është në fuqi dhe masa që kërkoi prokurori është në fuqi, dhe për këto arsye Kuvendi nuk ka çfarë të shqyrtojë në Këshillin e Mandateve”, tha ai.






