“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Ky është neni 242 i Kodit të Procedurës Penale ku mund të bëhen ndryshimet që paralajmëroi kryeministri Edi Rama. Sipas këtij neni, përveç të zgjedhurve nga qytetarët (pra deputetët dhe kryebashkiaket), të shtohen edhe anëtarët e qeverisë, presidenti etj.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi këtë të hënë ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama ka bërë të ditur se do të kërkohen ndërhyrje ligjore, por nuk ka përmendur ende një nen konkret të Kodit të Procedurës Penale.
Nëse bëhet ky ndryshim ashtu si dhe deputetët edhe një anëtar i qeverisë nuk do të mund të pezullohet apo kontrollohet nga SPAK-u pa autorizim të Parlamentit.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ndërhyrja synon të garantojë funksionimin normal të institucioneve, pa paralizime të detyrave kushtetuese dhe duke ruajtur pavarësinë e hetimeve dhe institucionet e drejtësisë.





