Partia Socialiste nuk e sheh fitoren e 83 mandateve si produkt të dobësisë së opozitës, por si rezultat të forcës së saj organizative, reformave të ndërmarra dhe projekteve të realizuara në vend. Kështu thotë sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, në një intervistë ku foli për bilancin e 13 viteve qeverisje, sfidat me drejtësinë dhe debatet e fundit politike e kushtetuese. Sipas tij, narrativa se mazhoranca përfiton nga një opozitë e dobët është e gabuar.
Në një intervistë për Tema, ai anashkalon pyetjet konkrete për raste konkrete të hetimit, por pranon se një forcë politike që qeveris prej më shumë se një dekade është e ekspozuar ndaj hetimeve dhe përgjegjësive. Ai kujtoi se në këto vite kanë ushtruar detyrën qindra drejtues vendorë, dhjetëra ministra dhe drejtues institucionesh, një pjesë e të cilëve janë përballur me sistemin e drejtësisë.
“Janë 13 vite qeverisje, me rreth 180 kryetarë bashkie, dhjetëra ministra e drejtorë. Është e natyrshme që drejtësia të hetojë dhe të veprojë. Reforma në drejtësi na ka dhënë forcën për ta përballuar këtë proces,” u shpreh ai.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së thekson se fakti që ish-zyrtarë të lartë të PS-së ndodhen në paraburgim apo nën hetim nuk duhet lexuar si dobësi politike, por si funksionim i shtetit ligjor, duke nënvizuar se çdo individ gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
Referuar përplasjes institucionale për çështjen Balluku, dhe paralajmërimit të kryeministrit për ndryshime ligjore, Klosi thotë se ndryshimet e paralajmëruara synojnë të krijohet një balancë mes drejtësisë dhe nevojës që administrata të funksionojë pa bllokime.
Ai bëri të ditur se ekspertë shqiptarë, grekë dhe italianë po punojnë për një paketë ndryshimesh që do të qartësojnë procedurat dhe standardet, duke shmangur precedentët që mund të krijojnë paqartësi institucionale. “Duhet të garantojmë edhe lirinë që i duhet një titullari për të ushtruar funksionin, edhe respektimin e plotë të procesit ligjor,” tha Klosi.
Ai foli edhe për qëndrimin e PS-së për vonesën e procesit të shqyrtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, duke sqaruar gjithashtu pse PS i konsideron të bashkuara dy procese që praktikisht duhet të ishin të ndara, pra imunitetin me vendimin e GJK për pezullimin e Ballukut nga detyra.
Çështjet që lidhen me hetimet dhe standardet e qeverisjes, sipas Klosit, janë në vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian. Ai pranoi se çdo zhvillim institucional reflektohet në marrëdhëniet me Brukselin, por shtoi se Shqipëria po përpiqet të ndërtojë modele që përputhen me praktikat evropiane.
Klosi e cilësoi mandatin aktual si një fazë përcaktuese për Partinë Socialiste dhe për vetë shtetin shqiptar. “Këtë mandat shkruajmë historinë,” u shpreh ai, duke e lidhur këtë ambicie me përmbylljen e reformave, konsolidimin e institucioneve dhe vazhdimin e investimeve publike në infrastrukturë e zhvillim ekonomik.





